Meta: Ne e bëjmë politikën me qetësi e me dashuri

 

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta së bashku me kandidatët e për këshillin bashkiak të Tiranës mori pjesë në një takim me banorët e Njësisë 10 në kryeqytet.

Gjatë fjalës së tij, z. Meta ftoi të gjithë që të jenë shembulli më i mirë i një fushate qytetare, të kulturuar, e cila bazohet tek afirmimi i vlerave të LSI-së, programit dhe mesazhit për të ofruar më shumë shërbim dhe punësim për qytetarët e Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Dua t’ju ftoj të gjithë që të jeni shembulli më i mirë i një fushate qytetare, të kulturuar, e cila bazohet tek afirmimi i vlerave tona , i programit tonë, dhe i mesazhit tonë, që është pikërisht mesazhi për të ofruar më shumë shërbim dhe punësim për qytetarët e Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. LSI gjithmonë ka qenë një shembull, i shkëlqyer i risive, i ideve të reja dhe ne jemi shumë të lumtur që tani të gjithë po flasin për punësimin dhe për punën. Pra kjo është një gjë pozitive, sepse është një shqetësim kryesor për familjet e Tiranës, është një shqetësim kryesor për familjet e të gjithë Shqipërisë. Bëhet fjalë për ata të cilët janë pa punë, por bëhet fjala për ata të cilët duan punë më të mira dhe që të jenë më të mirëpaguar”, – tha Lideri i LSI-së, teksa shtoi se situata ekonomike jo thjesht në Shqipëri por kudo nuk është aq rozë dhe se efektet e kësaj krize ndërkombëtare padyshim që ndihen edhe në vendin tonë.

“E vërteta është se situata ekonomike jo thjesht në Shqipëri po kudo, edhe në rajonin tonë edhe në Bashkimin Europian dhe në Eurozonë, nuk është aq rozë. Dhe dihet që ne jemi një ekonomi e hapur, një ekonomi e integruar, ku padyshim efektet e kësaj krize do të thosha rajonale dhe ndërkombëtare padyshim që ndihen. Prandaj ne jemi gjithmonë me këmbë në tokë dhe jemi gjithmonë realistë, por jemi të bindur se jemi në drejtimin e duhur dhe ky është apeli ynë për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, që ne i kuptojmë vështirësitë e tyre, por vështirësitë të pakësohen dhe zgjidhje më të mira dhe më të shpejta do të ofrohen, duke mbështetur drejtimin e ballafaqimit me të vërtetat dhe me vështirësitë. Sepse vetëm pak kohë më parë dëgjonim që Shqipëria ishte në konkurrencë të fortë me Gjermaninë se kush kishte rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Sot po nga këta dëgjojmë vetëm pas 18 muajsh se Shqipëria është bërë shembulli më katastrofik i varfërisë, i papunësisë, i korrupsionit, i kriminalitetit dhe i gjithçkaje të zezë”, – vijoi z. Meta .

Sakaq, Kryetari i LSI-së theksoi se opozita, që duhet të ishte alternativa e vërtetë e qeverisjes dhe duhet të përfitonte nga eksperienca 8 vjeçare për të qenë e besueshme sot, vjen si një opozitë që vetëm shpif dhe shan.

“Vërtetë është për të ardhur keq se si një opozitë, e cila duhet të jetë alternativa e qeverisë, e mazhorancës, e cila duhet të nxjerrë mësime nga vota e qytetarëve shqiptarë, e cila duhet të përfitonte nga eksperienca 8-vjeçare në qeverisje për të qenë e besueshme sot dhe për të dhënë alternativa më të mira për qeverisjen, se si një opozitë që vetëm shpif dhe shan, ose vetëm shan dhe shpif. Dhe është për të ardhur keq vërtetë, sepse kjo e bën garën vërtetë më të thjeshtë për ne në raport me qytetarët, por e bën demokracinë pak më të varfër, sepse jemi në një garë pa kundërshtarë. Në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, pra të rivalitetit, të rivalitetit në ide, të rivalitetit në program të rivalitetit në ofrimin e zgjidhjeve konkurruese me mazhorancën dhe natyrisht që kjo ka një rrezik, rrezikun e vetëkënaqësisë, duke parë gjendjen në të cilën ndodhet opozita e jonë”, – nënvizoi z. Meta .

Gjithashtu, Lideri i LSI-së tha se në 18 muajt e fundit janë përballuar rreziqe themelore për ekonominë tonë dhe është frenuar një borxh i papërmbajtur, ndërsa janë shlyer shumica e detyrimeve ndaj kompanive për punët publike të papaguara nga qeveria e mëparshme. Sipas z. Meta, janë përcaktuar drejtimet kryesore, ku duhet të ristrukturohet ekonomia jonë, që të kalojë nga një ekonomi konsumi në një ekonomi prodhimi.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që të mos biem pre e një euforie dhe vetëkënaqësie të tillë. Të mos harrojmë problemet e rëndësishme dhe njëkohësisht ta bëjmë garën me veten, ta bëjmë garën me pritshmëritë e qytetarëve tanë të atyre që na kanë votuar dhe që do të na besojnë sërish. Ne nuk besojmë se në 18 muaj kanë ndodhur mrekullia të veçanta, por 18 muaj janë përballuar rreziqe themelore për ekonominë tonë, është frenuar një borxh i papërmbajtur, janë shlyer shumica e detyrimeve ndaj kompanive për punët publike të papaguara nga qeveria e mëparshme, janë vënë pika mbi “i” për disa nga drejtimet kryesore, ku duhet të ristrukturohet ekonomia jonë, që të kalojë nga një ekonomi konsumi në një ekonomi prodhimi. Të mos harrojmë se janë bërë disa reforma të rëndësishme dhe disa të tjera janë në proces ku për fat të keq në çdo reformë ndihet mungesa e opozitës, ku reforma më e rëndësishme që ka ndodhur dhe për të cilën unë do t’i ftojë të gjithë qytetarët shqiptarë të shprehen më 21 qershor, duke marrë pjesë në këto votime, është ajo për ndarjen administrative-territoriale”, – deklaroi z. Meta, teksa duke u ndalur te reformat e rëndësishme që jaë marrë nga mazhoranca foli edhe për reformën administrative-territoriale që do të sjell një ndryshim madhor në pushtetin vendor.

“Është një reformë madhore, sepse ndarja e vjetër administrative-teritoriale ka qenë një pengesë e jashtëzakonshme për ta vënë pushtetin vendor në funksion të qytetarëve dhe të komunitetit, sepse e bënte të pamundur realizimin dhe përmbushjen e shumë shërbimeve që kanë përgjegjësi e pushtetit vendor për shkak të fragmentimit dhe copëzimit të jashtëzakonshëm. Ndaj kjo reformë që është përshëndetur nga të gjithë, nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga qytetarët shqiptarë e kërkon dhe pjesëmarrjen tuaj e kërkon dhe votën tuaj, kërkon dhe mençurinë tuaj në zgjedhjen e kandidatëve më të mirë në mënyrë që më 21 qershor ne të fillojmë të implementojmë këtë reformë dhe qytetarët shqiptarë të ndiejnë efektet e para të një epoke të re të pushtetit vendor në vendin tonë, që merr përgjegjësi të reja dhe që do të ketë një llogaridhënie shumë të qartë ndaj qytetarëve dhe ndaj komunitetit. Dhe për këtë kërkohet mençuria e të gjithëve, jo vetëm për të zgjedhur kandidatët më të mirë që kanë programet më të mira më të besueshme më konkrete, më afër shqetësimeve të qytetarëve dhe komuniteteve, por të mos harrojmë të zgjedhim edhe këshilltarët më të mirë, pra parlamentarët më të mirë vendorë. Sepse në të kaluarën këshilltarët ishin fiktivë, sepse kishin 400 këshilla anembanë Shqipërisë, shkonin dhe firmosnin dhe merrnin ndonjë shpërblim”, – theksoi z. Meta.

Për Liderin e LSI-së, tani këshilli bashkiak merr një përgjegjësi shumë më të madhe dhe bëhet një parlament i vërtetë dhe në këtë drejtim ai shprehur krenarinë e që lista e LSI-së kryesohet nga dy personalitetet të njohura, ndërsa nuk mungon as shkëlqimi i LRI-së.

“Jam i bindur që këshilli merr një përgjegjësi shumë më të madhe, bëhet një parlament i vërtetë dhe në këtë drejtim unë jam shumë krenar që jam sot këtu për kandidatët tanë për këshillin bashkiak të kryeqytetit. Në listën tonë që kryesohet nga dy personalitetet të njohura të LSI-së, nga Erisa Xhixho dhe nga Prof. Shezai Rrokaj, por edhe me shumë kandidate dhe kandidatë të tjerë, ku kuptohet shkëlqen përfaqësimi i LRI-së dhe mendoj që është një përfaqësim i merituar, sepse shumica e votuesve të LSI-së janë 18 deri në 35 vjeç. Dhe baza kryesore e kësaj mbështetjeje që ne kemi te rinia anembanë vendit është pikërisht figura e jashtëzakonshme që ka bërë dhe që bën Lëvizja Rinore për Integrim gjatë gjithë këtyre 10 viteve nga krijimi i LSI-së”, tha z. Meta.

Duke u ndalur te tensioni artificial që po stiset nga opozita për të sulmuar LSI-në, z. Meta tha se po fabrikohen lloj-lloj incidentesh, ndërkohë që asnjëherë në vendin tonë nuk ka pasur një klimë kaq të qetë, kaq të civilizuar sipas tij opozita po bën një gabim shumë të madh sepse ka disa kandidat të mirë.

“Besoj se i kemi ndjekur dhe ju një tension krejtësisht artificial edhe të stisur nga disa personazhe konfliktual të opozitës lidhur me rritjen e LSI-së, dhe lidhur gjoja me forma jo të ndershme që përdor Lëvizja Socialiste për Integrim. Dhe është normale. Kur këta i kalojnë 6 ditë aktualisht duke bërë plazh dhe vijnë vetëm të enjten në parlament për të hedhur baltë mbi zgjedhjet, dhe kur e dinë se rezultati mesa duket nuk do të jetë shumë i këndshëm për ta, sepse kanë kohë që paralajmërojnë bojkotin e reformës administrative territoriale dhe nuk dhanë as një alternativë, bojkotin e zgjedhjeve, tani fabrikojnë lloj-lloj incidentesh a thua se çfarë po ndodh. Ndërkohë që asnjëherë në vendin tonë nuk ka pasur një klimë kaq të qetë, kaq të civilizuar dhe ua thash edhe sot në parlament, po bëjnë një gabim shumë të madh sepse edhe opozita ka disa kandidatë të mirë. Disa prej tyre kanë lënë dhe mandatin e deputetëve për tu zgjedhur kryebashkiak dhe kjo sfidë disfatiste dhe demotivuese, që këta përfaqësues të opozitës demotivojnë dhe më tej anëtar dhe simpatizant të tyre për të marrë pjesë në votime, dhe natyrisht është edhe një lënie në baltë të kandidatëve të tyre”, – u shpreh z. Meta .

Kryetari i LSI-së shtoi se opozita shqetësohet për rritjen e LSI-së në Vorë, të tjerë shqetësohen për rritjen e LSI-së në Shkodër, por theksoi se LSI-ja është rritur dhe do të rritet në të gjithë Shqipërinë, sepse është një alternativë tashmë mbarëkombëtare dhe shumë përfaqësuese. Dhe kjo sipas tij është arsyeja kryesore pse shqiptarët dhe sidomos të rinjtë dhe të rejat votojnë gjithnjë e më shumë LSI-në, jo vetëm sepse mban fjalën, por sepse bën një politikë ndryshe.

Shqetësohen për rritjen e LSI-së në Vorë, të tjerë shqetësohen për rritjen e LSI-së në Shkodër. Të mos shqetësohen fare, LSI është rritur dhe do të rritet në të gjithë Shqipërinë. Në çdo bashki të Shqipërisë, LSI-ja është rritur dhe do të rritet në të 4 mijë qendrat e votimit ane mbanë Shqipërisë, në jug dhe në veri, në lindje dhe në perëndim, sepse LSI është një alternativë tashmë mbarëkombëtare dhe shumë përfaqësuese. Dhe arsyeja kryesore pse shqiptarët, dhe sidomos të rinjtë dhe të rejat na votojnë gjithnjë e më shumë, është jo vetëm se ne mbajmë fjalën, kujdesemi sa mundemi për njerëzit, por absolutisht se ne e bëjmë ndryshe politikën nga ata. Ata e bëjnë me urrejtje dhe me mllef, ne e bëjmë me qetësi dhe me dashuri. Kështu që unë do t’ju ftoja ta vazhdojmë fushatën me qetësi dhe me dashuri”,– nënvizoi z. Ilir Meta.

Më tej, Kryetari i LSI-së tha se nuk janë flamujt ata që shtojnë votat, por është mesazhi për qytetarin ai që e motivon atë dhe që e bën pjesë të fushatës dhe i jep besim se do t’ia zgjidhësh atë shqetësim kryesor që ai ka. Gjithashtu, z. Meta kërkoi që të gjithë të votojnë për kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Erjon Veliaj, sepse është një kandidat i ri, me shumë energji, por edhe me një përvojë mjaft të suksesshme edhe si ministër.

“U bëj thirrje të rinjve këtu, i bëj thirrje në Vorë, u bëj thirrje këtej nga Sauku e deri në Elbasan, se andej janë vendosur flamuj më shumë se sa ç’duhet, t’i rrallojnë flamujt sa të munden. Por ua thashë atyre të opozitës, vetëm ngjyrën e flamurit mos na kërkoni të ndryshojmë se e kemi shumë të bukur. Në rast se ata i shqetëson kjo e kuqja jonë, ne kësaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë. E kemi ngjyrën të pakrahasueshme, të pazëvendësueshme. Ju kërkoj të votoni për kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Erjon Veliaj, sepse është një kandidat i ri, me shumë energji, por edhe me një përvojë mjaft të suksesshme edhe si ministër. Besoj që ka një program shumë konkret që u drejtohet të gjitha problemeve të bashkisë së re dhe të shtresave të ndryshme të kryeqytetit, sidomos të atyre që kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe për solidaritet, dhe natyrisht ju kërkoj që të votoni numrin 47. Të jeni të sigurt që do të jetë një numër shumë fatsjellës. Por fatin më të mirë e keni përgatitur vetë duke punuar çdo ditë dhe jo thjeshtë në fushatë”, – u shpreh z. Meta, teksa në fund shtoi se shqiptarët kanë nevojë për energji pozitive, jo për urrejtje, për konflikt dhe për arrogancë.

“Duke ju drejtuar qytetarit me respekt, me vëmendje, me përulësi dhe duke vazhduar politikën tonë që sjell vetëm energji pozitive në shoqërinë shqiptare. Shqiptarët kanë nevojë për energji pozitive. Nuk kanë nevojë për urrejtje, për konflikt dhe për arrogancë. Arroganca është arma e të dobëtit. Arma e të fortit e të fuqishmit është toleranca, është përfshirja dhe ne jemi një forcë e madhe dhe e fuqishme dhe jeni bërë të tillë duke u bërë gjithnjë e më shumë tolerant, përfshirës dhe integrues, një Lëvizje Socialiste e vërtetë për Integrim”, – përfundoi fjalën e tij Kryetari i LSI-së.

Kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për këshilltarë në Bashkinë e Tiranës, z. Erisa Xhixho u shpreh se vota në 21 qershor është një votë për t’ia kthyer Bashkinë e Tiranës qytetarëve dhe mbi të gjitha Njësisë Bashkiake Nr. 10.

“Ne jemi LSI, ne jemi ajo forcë që kujdeset për njerëzit çdo ditë. Po ne i përgjigjemi qytetarëve gjatë gjithë kohës, jo vetëm në fushatë. Po ne jemi aty për çdo shqetësim dhe për çdo problem të tyrin, po ne i njohim banorët me emër dhe mbiemër dhe të gjithë shqetësimet që kanë qytetarët, prandaj dhe Lëvizja Socialiste për Integrim rritet çdo ditë në përkrahjen e saj në të gjithë Shqipërinë. Vota në 21 qershor është një votë për t’ia kthyer Bashkinë e Tiranës qytetarëve dhe mbi të gjitha Njësisë Bashkiake Nr. 10 e cila i ka vënë notën 10 edhe LSI-së. Ne kemi një program konkret. Së bashku me këshilltarët dhe ekspertët tanë kemi hartuar një program konkret për Bashkinë e Tiranës në mënyrë që të ketë më shumë, shërbime dhe angazhimi ynë është për t’i kthyer gjithë këto problematika në zgjidhje përfundimtare, qoftë për ujin e pijshëm, për ndriçimin, për transportin, për hapësirat e gjelbërta etj”,tha znj. Xhixho

Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim dhe njëkohësisht edhe kandidat për Këshilltarin Bashkiak, z. Endrit Braimllari theksoi se energjia pozitive që kërkojnë të marrin të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, do të jetë ajo që do të sjellë vërtet ndryshimin e Tiranës. “Është kënaqësi është se jemi në qendër të Tiranës, por nga krahu tjetër ndiejmë dhe një keqardhje që zona që është në qendër të Tiranës ka një mungesë totale Shërbimi. Nga ana tjetër është kënaqësi që unë do të jem pjesë e Këshillit të ri Bashkiak me një ekip fantastik të Lëvizjes Rinore për Integrim, pasi kësaj radhe LSI përfaqësohet në mënyrë dinjitoze. Por ajo çka është më e rëndësishme është se kësaj radhe në Këshillin bashkiak ne garojmë me 39 të rinj ku dhe njësia 10 është e përfaqësuar nga Egi, nga Kristi dhe jam i bindur që energjia pozitive e të gjithë të rinjve dhe të rejave të Lëvizjes Rinore për Integrim, energjia pozitive që kërkojnë të marrin të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, do të jetë ajo që do të sjellë vërtet ndryshimin e Tiranës, do të jetë ajo çka do të sjelli e të rinjve dhe të rejave të Tiranës. Të rinjtë dhe të rejat e Tiranës nuk kanë nevojë për fasadë, nuk kanë nevojë për programe të cilat nuk vihen në zbatim, por të rinjtë dhe të rejat e Tiranës kanë nevojë për një program konkret ku thelbin kanë shërbimin dhe punësimin, dhe ne e kemi thënë kudo. Do punojmë maksimalisht për punësimin e të rinjve dhe të rejave sepse është detyra jonë, detyra që ju na mandatori”, – tha z. Braimllari.

Edhe kandidatja për këshillin bashkiak, znj. Eriona Bixha, u shpreh se qytetarët e Tiranës kanë nevojë për më shumë shërbime dhe punësi dhe se rinia ka nevojë për më shumë përfaqësim e vëmendje.

“Energjia, vizioni dhe dëshira jonë për të punuar na bën që t’ju kërkojmë të gjithëve juve sot besimin dhe votën tuaj. Sepse vota për LSI, është vota për rininë. Qytetarët e Tiranës kanë nevojë për më shumë shërbime dhe punësim. Rinia ka nevojë për më shumë përfaqësim dhe vëmendje. Ndaj këshilltarët e LSI-së do të veprojnë. Do të mbështesim shumë të rinjtë që ndjekin arsimin profesional dhe për të ndjekur një arsim profesional që dikton zona në të cilën ata jetojnë. Do të jemi me shumë këmbëngulje dhe punë për të pasuruar bibliotekat në çdo njësi administrative. Ngritja e qendrave rinore do të ketë një fokus të veçantë për ne. Fokusi i LSI është që Tiranën ta bëjë një, të lidhë qendrat rurale me qendrat urbane, jo vetëm në infrastrukturë dhe në shërbime. Jemi të gatshëm për të punuar në të gjithë sektorët nga bujqësia, nga shërbimet dhe për të nxitur punësimin, sidomos tek të rinjtë. Ndaj në 21 qershorit ju ftoj të gjithëve të votoni Erion Veliaj për të ecur në drejtimin duhur, por njëkohësisht të votoni Nr. 47 për më shumë shërbime dhe punësim për të votuar rininë”, – tha znj. Bixha.

 

SHKARKO APP