Meta në Vorë: 300 vende të reja pune brenda vitit

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,  Ilir Meta së bashku me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku mori pjesë në një takim me banorët e komunës Bërxullës në Tiranë.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.

Duke folur përpara banorëve të Bërxullit, Lideri i LSI-së, Ilir Meta tha se Bashkia e Vorës do të jetë model dhe se punësimi do të jetë prioriteti i kryebashkiakut të ri. Meta bëri me dije se brenda këtij viti do të hapen edhe 300 vende të reja pune.

Unë mendoj se Bashkia e re e Vorës do të jetë bashkia model në të gjithë vendin, për sa i takon shërbimeve dhe në mënyrë të veçantë për sa i takon punësimit.

Ne do të fillojmë këtu, duke e bërë një bashki model për ta përhapur këtë model në të gjithë vendin.

Dhe punësimi do të jetë prioriteti ynë kryesor. Deklarova dy ditë më parë në Vorë se do të hapim 500 vende të reja pune, por kemi mbajtur rezervë 300 tjera brenda këtij viti, deri në vjeshtë.

Do të kemi mundësi pafund punësimi në bashkinë e re të Vorës, si përmes mbështetjes së industrisë, si përmes mbështetjes së shërbimeve, si përmes mbështetjes së bujqësisë, përmes mbështetjes së vetëpunësimit e kështu me radhë”, tha Meta.

“Një mbështetje të fuqishme do t’i japim infrastrukturës së gjithë kësaj zone, sepse çdo investim në infrastrukturën e kësaj zone është një përfitim i madh për komunitetin, por është një përfitim i madh edhe për shtetin, sepse do të thotë një industri më e zhvilluar, do të thotë më shumë shërbime, do të thotë bujqësi më e zhvilluar dhe më intensive.

Unë besoj se jemi në rrugën e duhur prandaj ftoj të gjithë komunitetin tuaj të shkëlqyer të votojë për Luan Sallakun si kryetarin e ardhshëm të bashkisë së re të madhe të Vorës, të votojë për Aleancën për Shqipërinë Europiane”, theksoi Kryetari i LSI-së.

Meta tha se puna në bashkinë e re do të nisë nga transparenca në respekt të qytetarëve, në mënyrë që të komuniteti ta ndjej veten pjesëmarrës në çdo vendim të rëndësishëm që do të merret.

Ne punën në bashkinë e re do ta fillojmë me transparencë në respekt të qytetarëve, të komunitetit, që të gjithë ta kuptojnë se është bashkia e tyre, dhe jo e një njeriu.

Ne transparencën dhe llogaridhënie do t’i kemi të shenjta në respekt me qytetarët e komunës sot të Bërxullës, që nesër do të jetë njësi administrative, të Prezës dhe të Vorës. Dhe të gjithë duhet ta dinë se sa kontribuojnë në buxhetin e kësaj bashkie dhe cilat janë përfitimet e tyre.

Edhe prioritetet ne do t’i ndajmë së bashku në mënyrë që komuniteti ta ndjej veten pjesëmarrës në çdo vendim të rëndësishëm që do të merret.

Sepse çdo vendim që do të merret duhet të jetë në radhë të parë në interesin tuaj. Për këtë jemi të gjithë sot këtu edhe do të jemi më shumë pas 21 qershorit”, deklaroi Meta.

SHKARKO APP