Meta nga burgu bën kritika për arsimin: Pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri
Edhe pse ndodhet në burg, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagon për politikën. Këtë herë ai ngriti shqetësimin se edhe këtë vit arsimi është lënë pa fonde shtesë. ”Mungesa e fondeve do të thellojë akoma më shumë rezultatet negative të Shqipërisë, që renditet e fundit në botë për cilësinë e Arsimit”, shkruan Meta. Sipas tij, bashkë me arsimin, janë braktisur edhe sektorët e Shëndetësisë dhe Bujqësisë.
Postimi i plotë i Ilir Metës
Vendimi më i fundit i Qeverisë për të shkurtuar fondet buxhetore për Arsimin me 700 milion lekë, për Shëndetësinë me 2.6 miliard lekë dhe për Bujqësinë me 800 milion lekë është tregues i vijimit të moskujdesit dhe braktisjes së tre sektorëve jetikë socialë, me pasoja të drejtpërdrejta negative për qindra mijëra mësues, mjekë, infermierë e stafe mbështetëse, si dhe fermerë.
Të lesh Arsimin pa fonde shtesë, kur nevoja për rritjen e pagave, për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja, si edhe domosdoshmëria për rritjen e sigurisë së institucioneve arsimore është urgjente provon papërgjegjshmërinë totale politike të Narkoqeverisë së Edi Ramës. Mungesa e fondeve do të thellojë akoma më shumë rezultatet negative të Shqipërisë, që renditet e fundit në botë për cilësinë e Arsimit.
Të shkurtosh fondet e Shëndetësisë pasi ke premtuar “shëndetësinë falas” do të thotë të braktisësh stafin mjekësor, të thellosh mungesën e ilaçeve dhe investimeve në spitale, në një kohë kur skandalet e mostrajtimit dinjitoz të pacientëve thellohen dhe shpërthejnë çdo ditë, si skandali i Onkologjikut, i sëmundjeve kronike e plot të tjera.
Të ulësh fondet për Bujqësinë, këtij sektori jetik për ekonominë kombëtare dhe punësimin, në kushtet kur fermerët po falimentojnë, po hedhin në kanal prodhimet e tyre dhe po detyrohen të largohen nga Shqipëria, do të thotë ta çosh këtë sektor përfundimisht drejt kapitullimit.
Braktisja e këtyre tre sektorë është një nxitje tjetër e shpopullimit, kësaj axhende antikombëtare të projektuar prej kohësh.
NarkoQeveria e Edi Ramës është e qartë në qëllimin e saj, duke ulur fondet për sektorët vitalë të ekonomisë dhe social, ka rritur fondet e ministrive të Energjitikës, së Brendshme dhe Turizmit, pra praktikisht ka rritur fondet për sektorët e tenderave për të vjedhur taksat e shqiptarëve.
Pesë Prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus që ndalin shpopullimin dhe kthejnë Shqipërinë në fuqi eksportuese janë e vetmja rrugë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit, për mbështetjen e familjeve, si dhe për rritjen e mirëqenies të qytetarëve, në veçanti për pensionistët dhe shtresat në nevojë.