Meta: Safet Gjici, njeriu i duhur në drejtimin e duhur

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Meta mori pjesë në një takim me banorë të Kamzës ku ishte i pranishëm edhe kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Bashkinë e Kamzës, z. Safet Gjici.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI­-së, z. Ilir Meta shprehu besimin e se banorët e kësaj zone do të votojnë kandidatin e majtë Safet Gjici.

"Ju tashmë e keni marrë vendimin dhe vendimi juaj është që në 21 qershor do të arkivohet njëherë e mirë projekti i këtyre 8 viteve ‘Kamza ime’ dhe ju do të votoni për projektin e ri “Kamza jonë” me kryetarin e ri të bashkisë, Safet Gjicin. Projekti i Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe i kryebashkiakut të ardhshëm të koalicionit tonë, Safet Gjici, është “Kamza jonë”, që të gjithë të jenë pjesë e ndryshimit, e transformimit. Do të jetë një projekt transparent në mënyrë që të gjithë qytetarët në Kamëz dhe në Paskuqan të dinë kontributin që ata japin për buxhetin e bashkisë, kontributin që i jep qeveria, kontributin që i japin donatorët, kontributin që i japin bizneset që funksionojnë në këto territore dhe njëkohësisht të njihen me mënyrën se si këto të ardhura dhe këto kontribute shpenzohen dhe investohen në dobi të komunitetit”, tha z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij, ai kërkoi që 'ti jepet fund mënyrës aktuale të drejtimit të Bashkisë së Kamzës duke e lënë atë me investime skandaloze dhe me infrastrukturë të dobët. “Unë kam besim të plotë se Safet Gjici është njeriu i duhur. Është në drejtimin e duhur dhe di të ecë shumë shpejt. Është një njeri i cili ka një eksperiencë të shkëlqyer menaxhimi, administrimi, shumë i suksesshëm. Është një njeri i cili ka mentalitetin e kampionit. Pra, që dëshiron të arrijë majat e suksesit dhe këtë e provoi edhe me ekipin e Kukësit që e mori nga hiçi dhe e çoi edhe në Kupat e Europës. Ka frymën e ekipit dhe të bashkëpunimit Por unë besoj shumë se edhe fakti që ai vendosi të kandidojë këtu, është rezultat i një vendimmarrje shumë të pjekur dhe të studiuar, duke patur në radhë të parë besimin e tij te resurset që ka ky komunitet i jashtëzakonshëm”, – theksoi z. Meta duke shtuar se “Kamza jonë” meriton të ecë më shpejt me këtë rini të jashtëzakonshme.

Duke shprehur mbështetjen e qeverisë për Kamzën, lideri i LSI-­së theksoi gjithashtu se Kamza i ka të gjitha mundësitë të bëhet një model i integrimit shoqëror dhe i emancipimit shoqëror. “

Mbështetja jonë, e Qeverisë, e Parlamentit, e mazhorancës do të jetë e jashtëzakonshme për të gjitha projektet e Kamzës në infrastrukturë. Në mënyrë të veçantë për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve. Dhe për këtë qeveria shqiptare ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me KFW­në e Gjermanisë dhe ky është një projekt që do të realizohet, sepse është vullneti i qeverisë shqiptare, por do të jetë edhe bashkëpunimi i kryetarit të ardhshëm të Bashkisë, z. Safet Gjici”, tha z. Meta.

Më tej, Kryetari i LSI shprehu bindjen se Safet Gjici është njeriu i duhur për Bashkinë e re të Kamzës.

“Të zgjedhim njeriun e duhur që ecën në drejtimin e duhur dhe që di të bashkëpunojë me komunitetin, që di t’i dëgjojë dhe t’i respektojë njerëzit. Që nuk i ndan, por përkundrazi, dhe që është i vendosur t’u shërbejë njësoj pa dallim feje, krahine dhe ideje politike. Këto janë zgjedhje vendore. Këto janë zgjedhje për të zgjidhur problemet e komunitetit, problemet e përditshme Qytetarët do të votojnë për të zgjedhur një kryebashkiak që do të zgjidhë problemet e pazgjidhura deri më tani të infrastrukturës, të shërbimeve. Do të zgjidhet një kryebashkiak që interesohet edhe për punësimin e qytetarëve të tyre dhe për këtë duhet një bashkëpunim i ngushtë me qeverinë, me investitorët dhe nuk keni model më të mirë se sa modeli i Safet Gjicit i cili nuk vjen për të drejtuar Bashkinë e Kamzës dhe për t’i gjetur punë vetes së tij, sepse është një njeri që ka me qindra dhe mijëra njerëz që punojnë prej kohës në aktivitetet e tij mjaft të suksesshme. Është një njeri i cili i ka vendosur vetes një qëllim të rëndësishëm që të realizojë një projekt të suksesshëm transformimi këtu në Kamëz që është edhe qendra e Shqipërisë”, – shtoi z. Meta, ndërsa shprehu besimin në vendosmërinë e tij, në vizionin e tij dhe në ambiciet e Gjicit. Z. Ilir Meta tha se ora e ndryshimit dhe e transformimit të pandalshëm për bashkinë e re të Kamzës është shumë afër.

“Ftojmë të gjithë dhe jo vetëm anëtarët dhe simpatizantë e PS, LSI dhe të koalicionit tonë, por edhe të gjithë demokratët të bëhen pjesë e projektit tonë sepse ne nuk do të diskriminohet asnjë këtu në Kamëz e në Paskuqan për arsye politike. Përkundrazi, do t’i respektojmë dhe do t’i integrojmë të gjithë në projektet tona të zhvillimit”, – deklaroi z. Meta.

 

 

SHKARKO APP