Meta: Shqetësimi im i vetëm për 2 marsin, si do ta menaxhojmë gjithë atë pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Si ku do përfundojë nuk e di
Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh këtë të enjte se do të firmosë një dekret më 2 Mars, por nuk tregoi se për çfarë dekreti bëhet fjalë. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, ai theksoi se Presidenti i ka bërë të gjitha veprimet në mënyrë zyrtare por nuk funksionojnë institucionet.
I pyetur për 2 marsin, Meta tha: “shqetësimi im i vetëm për 2 marsin, si do ta menaxhojmë gjithë atë pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Si ku do përfundojë nuk e di”. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për betejë për kompetenca, por për Gjykatën Kushtetuese që sipas tij është interesi më i lartë kombëtar.
Ilir Meta: Kur bien institucionet ngrihet populli. Ça thotë neni 2? Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
Blendi Fevziu: Si do ta ushtroni këtë sovranitet, në ç’mënyrë.
Ilir Meta: Ju të gjitha nuk do t’i mësoni sot.
Blendi Fevziu: Keni thënë që do të firmosni një dekret?
Ilir Meta: Çdo ditë do të ketë zhvillime. Atë ditë do ta firmos, nuk do ta firmos tani.
Blendi Fevziu: Presidenti duhet të dalë në shesh ta firmosë dekretin, nuk ka zyrë?
Ilir Meta: Presidenti ka zyrë dhe i ka bërë gjërat si zyrtar perfekt, por institucionet nuk funksionojnë. Çfarë mund të bëjë presidenti kur parlamenti, pushteti gjyqësor Dvorani në këtë rast dhe ministria e Drejtësisë bëhen bashkë dhe komplotojnë kundër Republikës. Kjo nuk është betejë kompetencash. Me ligj ata i morën Presidentit edhe kryetarin e Akademisë së Shkencave, por unë nuk i bëra thirrje popullit.
Blendi Fevziu: Çfarë do bëni me popullin?
Ilir Meta: Gjykata Kushtetuese është Kushtetuta e Shqipërisë, është interesi kombëtar. Nuk mund të pushtohet gjykata Kushtetuese me ligje antikushtetuese. Kur bëhet kjo gjë këtu ka rënë rendi antikushtetues./