Meta takon ministrin e Jashtëm të Italisë: Presim një prani më të madhe të investitorëve italianë
Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Luigi Di Maio. Kreu i Shtetit shqiptar i shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, si dhe kërkoi asistencën italiane edhe për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik. “Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. “Gjithsesi, ne presim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve kryesorë italianë në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri”, – theksoi Meta. Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, tha Presidenti Meta, janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali.
(1/2)Kënaqësi të takoja Min. e Punëve të Jashtme të🇮🇹@luigidimaio. FLM&mirënjohje për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga🇮🇹mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26/11/19 që goditi🇦🇱. Asistenca🇮🇹për rindërtimin&rehabilitimin e zonave të prekura,e mirëpritur!🇦🇱🤝🇮🇹 pic.twitter.com/kr5jylmnyi
— Ilir Meta (@ilirmetazyrtar) December 11, 2019