Metodologjia e re e zgjerimit të BE, Gjipali: Heq veton e vendeve skeptike
Metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian, ekspertët e vlerësojnë si hap pozitiv për vendin tonë. Drejtuesi i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, Gledis Gjipali, thotë se kjo metodologji zhbllokon ngërçin midis vendeve anëtare, ndërsa sipas tij rrit mbështetjen ekonomike për reformat.Gjipali i kërkon Shqipërisë që me metodologjinë e re të ndryshojë edhe logjikën me të cilën ka ecur gjatë këtyre viteve.
Miratimi i metodologjisë së re për zgjerimin e Bashkimit Europian shihet me nota pozitive për vendin tonë nga njohësit e proceseve integruese.
Drejtuesi i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, Gledis Gjipali, thotë se impakti i parë pozitiv është fakti se zhbllokon dhe lëviz nga qëndrimi vendet që kanë vendosur veto, duke përmendur këtu Francën.
Gjipali: Metodologjia ka një sërë elementësh të rinj të cilët janë pozitivë, siç është politizimi më tepër i procesit nëpërmjet futjes së vendeve anëtare gjatë negociatave, të jenë të përfshira në nevociata, të jenë të përfshira në vlerësim dhe monitorim të reformave të Shqipërisë dhe vendeve të tjeëra. Do të gjendemi më pak para surprizave negative siç ishte rasti i bllokimit të Francës, kur vendet ecin paralel me Komisionin dhe më pas gjejnë shumë kundërshti midis tyre.
Metodologjia e re rrit montitorinin ndaj vendeve aspirante dhe garanton një vlerësim më realist.
Gjipali: Përveç raporti vjetor nga Komisioni Europian sugjerohet futja e një konference ndërqeveritare çdo vit pas publikimit të këtij raporti ku do të vlerësohen me detaje cilat janë ato fusha ku janë arritur zhvillime pozitive dhe cilat janë ato fusha ku nuk ka zhvillime dhe regres.
Por Gjipali argumenton se përveç të mirave, metodologjia e re mbart edhe rrezik, ndaj sipas tij Shqipëria duhet të ndryshojë qasjen në këtë drejtim.
Gjipali: Duhet të jemi shumë më aktiv për të realizuar reformat, nuk do të duhet të premtojmë shumë, apo më shumë seç mund të bëjmë sepse kjo do të kthehet mbrapsht si bumerang në rastin kur ne nuk arrijmë të prodhojmë rezultate. Kërkohet një përgjegjshmëri më e lartë e klasës politike për të arritur ca reforma për të cilat nuk mjafton vetëm vullneti i një qeverie, por do përfshirje të institucioneve, politikës.
Sipas drejtuesit të Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, element tjetër i rëndësishëm në strategjinë e re është mbështetja ekonomike dhe sociale për reformat që kërkohen.
Metodologjia parashikon që reformat që kërkojnë kosto të mbështeten financiarisht nga Bashkimi Europain.