Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, në këtë çast kur “Anteu” Viktor Zhusti, zbriste nga skena dhe ngjitej në qiellin e mirënjohjes
Nga Albert Vataj
Si Anteu i mitologjisë, që fitonte forcën sa herë që prekte tokën e vet, ashtu edhe Viktor Zhusti rimerr forcë sa herë që ngjitet në skenë, vendi i vet i lindjes artistike, burimi i pashtershëm i energjisë dhe mjeshtërisë së tij.
Ka momente që janë më shumë se kujtime. Janë gdhendje të gjalla të një epoke, një përmbledhje e thirrjeve të brendshme e gjithë asaj që një jetë në skenë përfaqëson dhe rreket të shpërfaqet nëpër copëzat e frymshme të këtij çasti si një ngjarje galaktike që gatitet për të krijuar një yjësi të re.
Një prej këtyre çasteve është fotografia e publikuar së fundmi nga aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj në rrjetet sociale, një portret i thellë miqësie, admirimi dhe respekti, ku bashkë me bashkëshorten e tij, poeten dhe skenaristen Natasha Lako, përqafojnë mikun e tyre të shtrenjtë, legjendën e gjallë të skenës shqiptare, Viktor Zhustin.
Ky imazh është shumë më tepër se një çast emocional mes kolegësh. Është një dëshmi e rrallë që flet pa fjalë për forcën e artit, për qëndrueshmërinë e shpirtit krijues dhe për atë dritë që nuk zbehet as nga koha, as nga lodhja, as nga harresa. Është drita e atyre që kanë punuar fort, që kanë dashur skenën si një mënyrë për të jetuar e për të folur me botën, me çdo rol, me çdo heshtje, me çdo buzëqeshje që ndjell reflektim.
Në mënyrën e tij të veçantë, Shanaj e përshkruan këtë përqafim me një gjuhë që mbart ironinë e ëmbël të atyre që e njohin nga afër artin dhe sfidat e tij. “A ka ndonjë patkua apo hudhra për këtë aktor?”, pyet ai me humor, duke na kujtuar se përballë një performancë si ajo e Zhustit, edhe bestytnitë bëhen lutje. Ç’është kjo magji që nuk përmbyset nga vitet? Ç’është kjo rezistencë trupore e një artisti që qëndron mbi 100 minuta në skenë pa ndërprerje, si një lis që nuk dridhet nga stuhitë?
Viktor Zhusti, tashmë një institucion më vete, nuk është vetëm një aktor që mbush skenën me praninë e tij. Ai është një formë e rrallë e përkushtimit, një shembull i gjallë se si arti nuk vdes me thinjat, por lulëzon me çdo përvojë të re. Në çdo rol të tij, klasik apo bashkëkohor, ai nuk përsërit veten. Çdo karakter është një univers i veçantë që Zhusti e ndërton me mjeshtri, me delikatesë, me një ndjeshmëri që të bën të besosh se skena nuk është një vend, por një gjendje shpirtërore.
Në krah të tij, Natasha Lako, gruaja që ka mishëruar në poezinë dhe skenarin e saj një botë të tërë përkushtimi ndaj fjalës dhe kuptimit të saj, duket si një prani që shfaq pa fjalë mirësinë dhe kujdesin që ndihmon artin të mos humbasë shpirtin. Të dy së bashku, me Mevlan Shanajn, krijojnë një trini miqësore dhe artistike që nuk është thjesht pjesë e historisë së teatrit tonë, por edhe një simbol i gjallë i asaj që duhet ruajtur dhe nderuar.
Në këtë fotografi nuk shohim vetëm një buzëqeshje, por një kapitull të tërë. Një testament që flet për sakrificë, për dashuri ndaj artit dhe për ata njerëz që, edhe pse të thinjur, mbeten të rinj për shkak të flakës që nuk është shuar kurrë në ta.
Ky është Viktor Zhusti. Kjo është legjenda që meriton jo vetëm duartrokitje në fund të çdo shfaqjeje, por një vend të përhershëm në altarin e kujtesës sonë kulturore. E nëse teatri ka nevojë për yje që nuk bien kurrë, ai është një nga ata. Jo vetëm një fenomen artistik, por një magji që ka ndodhur. Një dritë që s’ka nevojë për hudhra, por për sytë tanë të hapur që të mos harrojmë të shohim.
KOHA JONË SONDAZH

