Mijëra euro dhe franga zvicerane të fshehura në trup, arrestohet malazezi në Rinas

Një shtetas malazez ka rënë në prangat e policisë në Rinas, pasi është konstatuar me një shumë të konsiderueshme frangash zvicerane dhe eurosh të fshehura në trup dhe çantën e dorës, me qëllim për t’i kaluar ilegalisht.

“Rinas/Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Procedohet penalisht 30-vjeçari malazez që nuk deklaroi 12 480 franga zvicerane dhe 900 euro, sipas përcaktimeve ligjore. Sekuestrohet shuma e parave. Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasin malazez A. T.

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantën e dorës, 12 480 franga zvicerane dhe 900 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Në përfundim të veprimeve, shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin malazez A. T., 30 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, shprehet Policia e Rinasit.

SHKARKO APP