Milan i kërkon Taçit paratë e sponsorizimit

 

Madhështia dhe borxhet e dikurshme gjithnjë të ndjekin nga pas. Kjo po ndodh edhe me ish bosin e naftës Rezar Taçi. Nëse dikur ai ëndërronte të bëhej sponsor i rosonerëve të Milanit, pra ti jepte para Berluskonit, sot i kërkohet të kthejë borxhet e papaguara. Një kërkesë ka mbërritur pranë gjykatës dhe QKR-së për sekuestrimin e shoqërise “Taçi Oil International Trading & Supply Company”.

Kërkesa është bërë në gjykatë në 22 prill 2015 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pak ditë më parë, në 7 maj.

Sipas shkresës së drejtuar QKR-së dhe për dijeni kompanisë, urdhri për sekuestro konservative është marrë pasi shoqëria “Taçi Oil, sipas një vendimi të Gjykatës së Milanos (datë 21.08.2013), i njohur dhe nga Gjykata Shqiptare duhet t’i paguajë shoqërisë “Infront Italy” srl shumën prej 2.3 milionë euro si dhe shpenzime të tjera për procedurë dhe interesa.

Kompania Infront Italy, sipas faqes së saj në internet është lider në marketingun ndërkombëtar sportiv.

Emri i Rezart Taçit dhe presidentit të kompanisë Infront, që sot kërkon kthimin e borxhit, u shfaqën në mediat italiane në 2011-n, kur A.C. Milan dhe Rezart Taçi, si president i kompanisë më të madhe të naftës në Shqipëri, nënshkruan një marrëveshje sponsorizimi për sezonin 2011 – 2012, në cilësinë e Premium Sponsor.

 Kjo marrëveshje e rëndësishme, sipas mediave italiane, e arritur në sajë të ndërmjetësimit të Infront, këshilltari zyrtar që përkrah skuadrën në kërkimin, seleksonimin dhe administrimin e sponsorve, u zyrtarizua në selinë e Milan në prani të Adriano Galliani, zëvendës president i klubit, Rezart Taçi, President i Taçi Oil dhe Marco Bogarelli, President i Infront Itali.

Por sot italianët duket se e kanë vështirë ti marrin paratë sepse “Taçi Oil International Trading & Supply Company” rezulton në QKR me status të pezulluar, me kërkesë të saj, që nga dhjetori i vitit 2014.

Taçi Oil përfaqëson falimentin më të madh të sektorit të naftës.  Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, Rezart Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj.

Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Ai u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar. Pamundësitë për të shlyer në kohë kreditë çuan në një varg sekuestrosh që sollën edhe falimentin.

 

SHKARKO APP