Miliona lekë dëme nga përmbytjet, mbi 4000 hektarë sipërfaqe ndodhen nën ujë në Shkodër
I gjithë investimi i 3 fëmijëve në emigracion, fermerit Ymper Leporoshi i është përmbytur nga uji, në Berdicë të Shkodrës.
17 dynym me bimë dekorative, me gjithsej 25 mijë fidanë janë dëmtuar rëndë, ndërsa dëmi shkon deri në 10 milionë lekë.
“Investuam për një copë bukë, të gjitha paratë aty i kam futur.”
Edhe fermerët e Anës së Malit dhe Dajçit po gjenden në vështirësi për mbajtjen e bagëtive, pasi uji ka dëmtuar bazën ushqimore, e ndihmat e sjella janë të pamjaftueshme.
“Kemi hyrë në muajin e dytë, na duhen 500 ton dhe prapë është e pa mjaftueshme, nevoja sa vjen e rritet”.
Situata me përmbytjet në Shkodër, është përkeqësuar të mërkurën ku tanimë mbi 4 mijë hektarë tokë gjenden nën ujë prej rreth 35 ditësh.
Oboti mbetet sërish i izoluar dhe kalimi kryhet vetëm me varkë të ushtrisë, po ashtu e bllokuar është edhe rruga Shirq-Darragjat, ndërsa në disa fshatra të tjerë uji varion nga 30-40 cm në rrugë dhe toka bujqësore shkon deri në 2.5 metra. /Ora News