Milo: Tani s’ka më garë, marrëveshje e heshtur PS-PD për rotacion
Politikani dhe historiani i njohur Paskal Milo, i ftuar mbrëmjen e sotme në “Byro Politike” me Juli Xhokaxhi, tha ndër të tjera se ka pak shanse që kriza të zgjidhet me uljen në tryezë të partive kryesore për reformën zgjedhore. Sipas tij, çështja kryesore është ndryshimi i sistemit zgjedhor.
“Duhen bërë zgjedhje me rregulla të pastra loje. Jo me rregulla ku dihet paraprakisht se kush do ti fitojë zgjedhjet. Tani zgjedhjet i përcakton sistemi, përpara kemi patur sistem zgjedhor relativisaht të mirë. Tani nuk ka garë, është vetem mes dy partive PS-PD, në mes tyre ka një rotacion me marrëveshje të heshtur”, tha Paskal Milo.
Më tej, ai tha edhe argumentet se pse duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor, i cili aktualisht nuk është fare në tryezën e reformës.
“Unë mendoj se kemi dhunuar rregullat e lojës. Kemi një klasë politike që menaxhon politikën dhe pushtetin dhe nuk është e vendosur që të bëjë rregulla të reja loje demokratike, të përkthyera në kod dhe sistem zgjedhor që përfaqëson votën e shqiptarëve, sepse ata do të dalin të humbur. Me kodin zgjedhor aktual, partitë e e tjera janë në mëshirë të partive të mëdha. Partitë e mëdha marrin 200 mijë vota dhe i fusin në thesin e vet nga të vegjlit. Me këtë kod, nuk mund të hyjë në lojë asnjë parti e re”, u shpreh ai.
Milo më tej kritikoi Partinë Demokratike, pasi sipas tij, duhet të kishte dalë tashmë me një alternativë bindëse.
“Kjo zvarritje, fjete e politikës vjen nga fakti se opozita është lodhur shumë në drejtim të gabuar dhe nuk po i paraqet shqiptarëve një program, një alternativë qeverisë. Nëse besojmë ende se partitë përfaqësohen nga programet, atëhere duhet të ketë program… jo vetëm propagandë, por program bindës që të ngjisë në popull”, tha Milo.
/abcnews.al