Mini-Shengeni Ballkanik, megagabim diplomatik
Intervistë për ARGUMENTUM me diplomatin Dr. Jorgji KOTE, ekspert i kësaj fushe, në vitet 1997 – 2017 zv.ambasador në Belgjikë, Berlin dhe Misionin pranë BE-së në Bruksel.
“Askush nga qeveria nuk i është përgjigjur pyetjes së drejtë se përse ky Mini- Shengen dhe me emër të diskutueshëm nuk realizohet nga ose nëpërmjet CEFTA ( Marrëveshja e Tregtisë së Lirë) të rajonit, të krijuar në vitin 2006 ? Për më tepër, Shqipëria e kryesoi atë gjatë vitit të kaluar porse nuk iu ndie fare zëri !!! Atëhere përse duhej që këtë nismë ta ndërmerrte Serbia dhe gjithçka të fillonte nga Nishi e jo nga Tirana apo Prishtina? Debatet dhe polemikat e shumta gjatë muajve të fundit dëshmojnë qartë se në këtë drejtim « i kemi hipur kalit së prapthi » ,shprehet Z.Kote
– Më 20 Janar është parashikuar të mbahet në Beograd Samiti i katërt i të ashtuquajturit Mini- Shengen Ballkanik, rreth të cilit ka patur e vazhdojnë debate e diskutime të shumta. Cili është mendimi juaj për këtë nismë?
Jorgji Kote:Se çfarë është dhe përfaqëson, të mirat dhe të këqiat, sfondi historik dhe problematika e Mini- Shengenit Ballkanik janë trajtuar gjerësisht nga shumë ekspertë, shumica e të cilëve janë kundër. Natyrisht gjithkush ka të drejtë të japë argumentet e veta, por, sidomos qeveria duhet dhe të dëgjojë, jo me qëndrime kryeneçe, duke « këmbëngulur te e veta si mushka » ; apo dhe të veprojë siç thotë shprehja « pushka bam e Muçua tutje» me retorikën e përfitimeve ekonomike, edhe ato jo të qarta dhe bindëse, duke injoruar çdo zë ndryshe e duke mos shfaqur kurfarë bonsensi, lëshimi dhe tërheqje nga « istikami « ; ca më keq akoma, duke u munduar me arrogancë t’u mbyllë gojën të tjerëve me pohime kategorike dhe pa argumenta ; kur në fakt, nuk bëhet fjalë për një ose disa skeptikë por për një kundërshtim dhe rezistencë masive ndaj Mini – Shengenit te ne, në Kosovë dhe gjetkë. Mirëpo, siç thotë Kisinger « Asnjë politikë e jashtme, sado e gjetur të jetë, nuk ka shans për sukses në rast se lind në mendjet e pak njerëzve dhe nuk prek zemrën e askujt » Edhe prania e ndonjë përfaqësuesi ndërkombëtar bëhet me tepër nga « halli se sa nga malli » për t’i bërë qejfin mikpritësve për një temë që ata nuk i shqetëson. Ndaj, ajo nuk mund të shërbejë si alibi politike.
– Atëhere, ku dhe si e shihni ju kundërshtimin ndaj Mini-Shengenit?
-E shoh në disa blloqe problematike. Veç të tjerash, në faktin se dallimet në qëndrime dhe argumenta janë aq të mëdha, sa që anashkalimi e ca më keq injorimi i « mendimit ndryshe » siç po ndodh tani nuk ka shans të japë rezultate, duke rrezikuar kompromentimin e gjithë procesit, të cilit i mungon besueshmëria aq shumë e nevojshme. Për pasojë, nga një vlerë e mundshme e shtuar ai rrezikon të rezultojë kohë tjetër e humbur, pas mbi një vit të shpenzuar pa dobi me tezat e kufirit dhe shumë shtyrje të tjera të çdo lloji në rajonin tonë. Tashmë, pas tri samiteve, duket qartë se argumentet kundër tij janë shumë më të mëdha se sa qoftë dhe leverdia ekonomike e supozuar. Kjo e fundit nuk mund të mohohet, por është e pamundur të realizohet jashtë kontekstit politik aktual. Sepse dihet se dhe tubacionet e naftësjellësve, vetëm 10 për qind janë çelik, 90 për qind janë thjesht politikë. Shkurt hesapi, nuk mund të ketë dinamikë ekonomike dhe tregtare pa vullnet, klimë dhe konsensus politik gjithëpërfshirës që siç dihet është problematik në Ballkan.
Shqetësimi tjetër është se askush nga qeveria nuk i është përgjigjur pyetjes së drejtë se përse ky Mini- Shengen dhe me emër të diskutueshëm nuk realizohet nga ose nëpërmjet CEFTA ( Marrëveshja e Tregtisë së Lirë) të rajonit, të krijuar në vitin 2006 ? Për më tepër, Shqipëria e kryesoi atë gjatë vitit të kaluar porse nuk iu ndie fare zëri !!! Atëhere përse duhej që këtë nismë ta ndërmerrte Serbia dhe gjithçka të fillonte nga Nishi e jo nga Tirana apo Prishtina? Debatet dhe polemikat e shumta gjatë muajve të fundit dëshmojnë qartë se në këtë drejtim « i kemi hipur kalit së prapthi »
– Çfarë tjetër mungon sipas jush në këtë nismë dhe në këto samite dhe që mund të kthehet në pengesë për më tej?
– Veç analizave tërësore të kosto/përfitimeve, në lançimin e Mini- Shengenit u injorua tërësisht faktori kohë ose « timing » siç njihet në zhargonin diplomatik. Nuk ka në botë një ngjarje apo samit që të zhvillohet pa marrë parasysh këtë faktor, sado e rëndësishme të jetë tema. Sepse « timing » mund të krijojë probleme perceptimi e për pasojë të kompromentojë apo të lerë në hije gjithë procesin. E pra, vështirë të gjindet një moment më i papërshtatshëm për lançimin e kësaj nisme se muaji Tetor 2019. Ato ditë vendosej mosçelja e negociatave me BE-në, Kosova sapo kishte përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe ende nuk kishte filluar procesin e krijimit të qeverisë. Ndërkohë, Serbia ishte dhe mbetet nën prozhektorët e kritikave për rritjen e bashkëpunimit me Rusinë, etj. Atëhere, përse duhej ai nxitim i pashpjegueshëm për të shkuar doemos në Novi Sad? Kur mungonte konsensusi paraprak me Kosovën, dhe dy vendet e tjera, kur dihet se ky konsensus është ABC-ja e diplomacisë shumëpalëshe? Sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin, që ëshë « si nata me ditën » me Benelux apo dhe me vendet Balltike!
– Mirëpo, disa i referohen një takimi të tre presidentëve në vitin 2010 u gjithashtu është folur për një Mini- Shengen. Përse atëhere kjo « alergji » ndaj kësaj nisme tani, nëntë vite më vonë?
-Kjo është e vërtetë, veçse më 2010, si faktori kohë dhe konteksti historik/politik ishte krejt ndryshe dhe shumë më i favorshëm për vendet tona. Serbia e cila nuk merrte pjesë kishte rënë si të thuash « squkë » pas shuplakave që mori me pavarësimin e Kosovës dhe Vendimin e GJLD në favor të tij ; veç këaj, kishte ende shpresa dhe iluzione për moderacionin e Serbisë dhe futjes në brazdat euro-atlantike. Ndaj dhe pak vite më vonë, BE çeli negociatat e antarësimit me Serbinë që tashmë janë pezulluar. Pra, atëhere, Serbia nuk ishte as pjesëmarrëse e jo më nismëtare, e zellshme, siç po ndodh tani, në kushte krejtësisht të ndryshme dhe më të favorshme për palën serbe. Kjo e fundit nuk po le gur pa lëvizuar për t’i shfrytëzuar këto koniunktura sa më shumë në favor të saj POR, në dëm të të tjerëve, e në radhë të parë të Kosovës.
– A ka aspekte të tjera politike që e pengojnë Mini-Shengenin?
– Po, ka dhe një bllok tjetër problematik që lidhet me faktin se dhe në demokraci politika është « në plan të parë ». Siç e përmendëm dhe më sipër, jashtë kontekstit politik nuk mund të arrihet asgjë me natyrë teknike, ekonomike dhe tregtare. Këtë e di dhe « bufi » Për fat të keq, gjendja dhe qëndrimet politike të Serbisë gjatë javëve të fundit, në prag të Samitit të Durrësit, jo vetëm nuk shënuan ndonjë përmirësim qoftë dhe kozmetik, por janë acaruar më keq, me sulme dhe anetema ndaj Kosovës, vazhdimit me kokëfortësi të lobimit agresiv kundër antarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, mosnjohjes ose tërheqjeve të njohjeve të mëparshme dhe forcimit të bashkëpunimit me Rusinë, Kinën, etj. Mohimet e masakrës serbe në Raçak ia kaluan për nga magnituda politike Tërmetit të 26 Nëntorit. Këto qëndrime absurde dhe armiqësore nuk mund t’i kompensojë asnjë justifikim, lot i derdhur apo ndihmë humanitare serbe dhe vetë vizita e Vuçiç te banorët e prekur nga tërmeti ; për më tepër kur pala serbe, ndryshe nga Gjermania e pasluftës nuk ka kërkuar ende ndjesë për krimet e saj ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës, dhe mbi të gjitha nuk e njeh dhe as nuk jep shenja të njohjes së shtetit të Kosovës. Si mund atëhere diplomacia jonë të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë, sipas parimit « business as usual »
Qysh atë ditë pala jonë duhet të kishte anulluar ose të paktën të shtynte Samitin në fjalë, siç ndodh rëndom në praktikat diplomatike dhe pastaj hajdeni dhe ulemi në tryezë. Së fundi, incidentet konfliktuale të Serbisë me Malin e Zi janë një kambanë tjetër alarmi në këtë drejtim.
-Pra ju po thoni që këto samite të anullohen ose ndërpriten e nëse po, përse dhe si?
-PO dhe me të madhe. Sepse mospjesëmarrja e Kosovës ku forcat politike janë me një zë kundër është shkaku kryesor përse këto samite, duhet të ndërpriten. Aq me tepër se kemi dhe marrëveshje me Kosovën për unifkimin e politikës së jashtme. Për më tepër, kur ajo ende nuk ka qeveri dhe pjesëmarrja në samit vetëm se do t’i hidhte dhe më shumë benzinë zjarrit politik. Rruga e zgjedhur për të anatemuar Kosovën e për ti prishur imazhin që dashje pa dashje « shpie ujë në mullirin serb është gafë politike e palejueshme. Tamam kur Kosova ka aq shumë nevojë për afirmim në botë, ne bëjmë të kundërtën me duart tona. Dhe sikur gabim ta ketë Kosova, kursesi nuk duhet ta qortojmë dhe izolojmë atë apo të përdorim gjuhë sulmuese të papërshtatshme dhe ndaj çdo vendi tjetër e ca më pak Kosovës.
Ndërkohë, bëjmë krejt të kundërtën me Serbinë, duke paguar një çmim shumë të madh për praninë e saj në këtë Samit. Pikërisht kur prej Serbisë do shtuar trysnia për të njohur Kosovën, dhe për të hequr dorë nga lobimet e saj agresive, lavdërimi i saj dhe anatemimi i Kosvës janë dhurata të paçmuara për lidershipin serb në këto momente delikate, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Nëse për Serbinë kjo qasje është dhuratë e rënë nga qielli, kundërshtarët e Kosovës ajo i furnizon me goxha »municion » për ta goditur në momente të saj të vështira kur ka përpara të paktën 10 sfida të tjera madhore.
-Duke qenë diplomat me përvojë të gjatë dhe praktike në këto fusha, a nuk do të krijonte fërkime dhe probleme anullimi apo shtyrja e kësaj nisme dhe samiteve me Serbinë?
-Në fakt, kjo shtyrje mund të bëhet mirë e lehtë pa krijuar konflikte dhe tensione, me finesë dhe kortezinë e njohur diplomatike. Samitet mund fare mirë të zëvendësohen me takime konsultative grupesh ekspertësh, zyrtarësh të lartë dhe ministrash. Kurse Samiti do të vinte pikat mbi « i » dhe vulën e jo të ktheheshin në spektakle mediatike të tipit « One Man Show ». Kësisoj dhe publiku do të informohej më mirë dhe më konkretisht për këtë proces, jo si deri tani si shumëtore samitesh, por me përfitimet dhe avantazhet përkatëse. Në fakt kështu veprohet në diplomacine e sotme, shkallë shkallë dhe jo « drejt e në thela » Po të jetë dëshira politike, mënyra diplomatike për këtë shtyrje gjindet fare lehtë. Duke vepruar kështu, ne « do t’i binim pragut që të dëgjonte porta » duke i dhënë të kuptojë lidershipit serb se duhet të reflektojë dhe të vijë me « mendje tjetër « në këto samite. Padyshim që shtyrja e samitit të janarit do të akomodonte pozicionet e të gjitha palëve dhe do të shmangte debatet dhe konfrontimet e mëtejshme, duke i lënë kohë dhe hapësirë diplomacisë për veprime të mëtejshme dobiprurëse. /argumentum.al/