Minierat e Dardanisë që furnizonin perandorinë e madhe të Romës
Xehetaria ka ekzistuar në Mbretërinë Dardane qysh në parahistori, ndërsa në kohën romake, që nga shekulli II i erës sonë, minierat e Dardanisë e kanë furnizuar Romën me metale fisnike për punimin e monedhave e gjerave të luksit e po ashtu nga guroret eksploatohej guri për punimin e monumenteve sepulkrale e sakrale, për shtatore dhe për elemente arkitektonike
Autorët antikë, siç ishte rasti me Justinin, e përmendin Mbretërinë Dardane në shekullin IV p.e.s. lidhur me dyndjet e keltëve (380 para erës sonë), me mposhtjen e ilirëve, sulmet kundër dardanëve (358 para erës sonë) të mbretërve maqedonas Filipit II (359-335 para erës sonë) dhe më vonë të Antigon Dosonit (263-221 para erës sonë) dhe Filipit V (229-227 para erës sonë), por përkundër kësaj është indikativ fakti që ka gjurmë arkeologjike që shteti dardan kishte ekzistuar së paku nga shekulli VI para erës sonë, ndërsa pas pushtimit romak, territori i tij ishte bërë pjesë e provincës Moesia, e krijuar mes viteve 2 e 6 të erës sonë, e pas ndarjes së saj në vitin 86 të erës sonë ishte bërë pjesë qendrore e provincës së re Moesia Superior, në kuadër të së cilës paria vendëse (principes) në fillim, deri në konsolidimin e pushtetit romak, kishte pasur rol të rëndësishëm në qeverisje dhe në jetën shoqërore.
Xehetaria ka ekzistuar në territorin e Dardanisë Qendrore shumë kohë para ardhjes së romakëve dhe nuk është ndërprerë fare, për çka dëshmojnë gjetjet e mbetjeve të minierave pararomake e romake: tuneleve, galerive ku bëhej seleksionimi i xehes, furrave për shkrirjen e xehes, deponive të skorieve minerare, almiseve, pajisjeve të ndryshme e gjëra të ngjashme.
Xehetaria kishte qenë një nga degët dominuese të ekonomisë te dardanët në kohën pararomake e ashtu kishte vazhduar të jetë edhe në kohën pas pushtimit romak.
Në territorin e Dardanisë Qendrore romakët i kishin gjetur dy rajone kryesore minerare: atë të Ibrit (Kopaoniku e Rogozna) me seli në Municipium D(ar)D(anorum) që ishte një nga pjesët më të pasura në Ballkan në pjesën veriore, dhe tjetrin me seli në territorin e Ulpianës.
Pas pushtimit të Mbretërisë Dardane romakët kishin riorganizuar dhe adaptuar sipas nevojave të veta thuajse çdo segment të jetës përfshirë edhe xehetarinë.
Nga shekulli II i erës sonë veprimtaria minerare ishte intensifikuar dhe, meqë xeherorët ishin patrimonium apo pasuri personale e perandorëve, emërtimi zyrtar i disa distrikteve xeherore në kohën e Trajanit ishte Metalli Ulpiani, kurse ky emërtim gjatë kohës së sundimit të perandorit Mark Aureli ishte ndryshuar në Metalli Aureliani dhe këto miniera i udhëhiqnin përfaqësuesit e aparatit administrativ të perandorit dhe zyrtarët e lartë: Procuratores metallorum dhe conductores (këta të fundit Trajani dhe Hadriani i kishin larguar nga minierat e arit e të argjendit) që ishin zakonisht aristokratë romakë ose edhe skllevër të liruar perandorakë.
Metalla Dardanica ose Metalli Dardanici quheshin xeheroret në jug të provincës Moesia Superior, pra në territorin e ish-Dardanisë Qendrore (Municipium DD, Ulpianë) për të cilat dëshmojnë monedhat e kohës së sundimit të Trajanit me mbishkrime Metalli Dardanici ose vetëm Dardanici.
Nummi metallorum – monedhat minerare
Në kohën e sundimit të perandorëve Trajan e Hadrian janë emetuar disa seri të monedhave prej bronzi të llojit quadrans të quajtur “nummi metallorum”, “mining coins”, apo “Bergmännisches Geld” me emra të xeheroreve perandorake në provincat: Dalmaci (Metalli Ulpiani Delmatici), Panoni (Metalli Ulpiani Pannonici) e në Dardani (Metalli Dardanici ose vetëm Dardanici) në reversë të tyre, meqë këto miniera i furnizonin punëtoritë monedhëprerëse perandorake në Romë e nëpër provinca.
Në averse të këtyre monedhave që ishin të prera mes viteve 114 e 117 të erës sonë është portreti i djathtë i perandorit Trajan me kurorë perandorake në kokë dhe rreth tij emri dhe titulli i tij perandorak: IMP CAES NERVA TRAIAN AVG (Imperator Caesar Nerva Augustus ) ose IMP CAES NERVA TRAIAN AVG GERM (Imperator Caesar Nerva Augustus Germanicus), ndërsa në revers figura e ndonjë hyjneshe: Pax (perëndeshë romake, personifikimi i paqes, që ishte një nga virtytet e Perandorisë Romake), Aeternitas (personifikimi hyjnor i përjetësisë, veçanërisht e lidhur me kultin perandorak si një virtyt i perandorit të hyjnizuar) ose hyjneshës Terra Mater (personifikim i Nënës Tokë) dhe mbishkrimi METALLI DARDANICI ose vetëm DARDANICI.
Këto monedha e kishin përdorimin e kufizuar dhe janë prerë në kohën e perandorëve Trajan (98-117), Hadrian (117-138)), Antonin Piu (138-161) dhe vetëm në një seri të rrallë ishte prerë në kohën e Mark Aurelit (161-180). Janë këto monedha me madhësi 2-3,2 cm, me peshë rreth 3 gramë dhe të emetuara në numër të kufizuar. Nga rreth 100 monedha të tilla të gjetura deri më tash, 10 për qind e kanë mbishkrimin Dardanici ose Metalli Dardanici. Nummi mettallorum të përmendura janë prerë në Romë edhe pse kishte mendime që janë prerë në Viminacium, por meqë shumica prej tyre janë gjetur në Romë dhe rrethinën e saj (pos një ekzemplari të gjetur në Municipium DD) prerja e tyre në punëtoritë monedhëprerëse të Romës duket më reale.
Në mbishkrimin e një altari, si dedikues përmendet një procurator metallorum i quajtur Amandus, i cili kishte qenë skllav i liruar i perandorit Antoninus Pius (138-161), ndërsa në bazamentin e shtatores së perandorit Gordiani III (238-244) të gjetur në Municipium DD përmendet dedikuesi i shtatores Titienus Verus, i cili kishte qenë procurator metallorum Municipi Dardanici. Po ashtu është dëshmuar epigrafikisht Statio M. Dard (Statio Municipi Dardanorum) që ishte stacion i beneficiarëve ushtarakë të cilët kujdeseshin për sigurinë e vetë vendbanimit, të minierave dhe të transportit të xehes.
Emërtimi i distriktit xeheror në veri të provincës Moesia Superior, ndërkaq nuk është i njohur.
Metalet (argjendi, ari e plumbi) janë nxjerrë dhe janë përpunuar në Dardani dhe janë eksportuar jashtë saj, por një pjesë e tyre (argjendi e ari) janë përdorur për prerjen e monedhave në punëtorinë monedhëprerëse në Viminacium (solidë, antoninianë, dhe denarë prej argjendi), në punëtoritë e tjera provinciale (Siscia) e në Romë, por janë përdorur edhe për gjësende të tjera që prodhoheshin në punëtori të ndryshme zejtare në Dardani.
Rënia e rëndësisë së minierave në fund të antikitetit lidhet me krizat e shekullit III dhe IV, e posaçërisht me mungesën e fuqisë punëtore, për çka romakët kishin qenë të detyruar ta aplikojnë kolonizimin e xehetarëve nga viset e tjera dhe dënimin damnationes ad metalla të kriminelëve, por edhe ato ishin treguar me pak efekt.
Guroret dhe punëtoritë gurgdhendëse në Dardaninë Qendrore
Derisa minierat në pjesën veriore të Kosovës së sotme, rreth Ulpianës, Moravës Jugore dhe rrëzë malit Mokna kanë qenë patrimonium i perandorëve dhe ishin të udhëhequra nga një aparat administrativ me në krye procuratores augusti (zakonisht njerëz të besueshëm të perandorëve: pjesëtarë të shtresave të larta shoqërore, por edhe të liruar perandorakë), të cilët përfaqësonin perandorin dhe interesat e tij, për madenët prej nga nxirrej guri, nuk dihet sigurt a kanë qenë pronë shtetërore apo private dhe nga kush janë udhëhequr.
Sa u përket qendrave të eksploatimit dhe përpunimit të gurit në territorin e ish-Mbretërisë Dardane deri tash dihet së paku për katër sosh.
Në hyrje të Grykës së Rugovës, në bregun e djathtë të lumit Lumbardh janë gjetur reliktet e një madeni, nga i cili është nxjerrë guri për nevoja të ndryshme të këtij rajoni gjatë kohës së okupimit romak.
Gurorja dhe punëtoria gurgdhendëse antike në rajonin e Pejës
Në Fushën e Pejës, në lokalitetin “Gradina” ndërkaq në vitin 1979 pas fryrjes së lumit Lumbardh dhe shembjes së një pjese të bregut të majtë të tij, janë dëshmuar relikte të një punëtorie gurgdhendëse të kohës së shekujve II deri IV të erës sonë, në të cilën nga ky gur janë punuar monumente të ndryshme.
Kjo punëtori ishte njëra nga katër sosh, të cilat i zë në gojë arkeologu András Mócsy, i cili ato i lokalizon në Ulpianë, Prizren, Pejë e në rrethinë të Kaçanikut. Edhe pse punëtorinë gurgdhendëse e në rajonin e Pejës, Mócsy e përmend si të tretën, në bazë të gjetjeve të monumenteve të prodhuara këtu duket që ajo ka qenë me rëndësi fill pas asaj në Ulpianë ose edhe e barabartë me të.
Monumentet e punuara në punëtorinë gurgdhendëse të Pejës janë gjetur në lokalitete të ndryshme të rajonit: brenda vetë qytetit të Pejës, në Banjicë, Studenicë, Kaliçan, Vrellë, Llukavc të Thatë, Kosh, Syriganë, Veriq, Kërninë, Staradran, Zllakuqan, Budisalc, Klinë, Dresnik, Pograxhë, Raushiq, Rastavicë, Gramaçel etj.
Në bazë të të dhënave relevante, mund të supozohet që guri si material në art ishte imponuar me ardhjen e romakëve dhe nuk ishte pranuar me dëshirë të madhe, meqë deri atëherë kishte qenë material thuajse i panjohur në artin e vendësve autoktonë.
Rezultatet e analizave gjeologjike të gurit gëlqeror e të mermerizuar, nga madeni në grykën e Rugovës dëshmojnë që ai, së bashku me gurin oniks nga rrethina e Banjës së Pejës, janë përdorur për punimin e monumenteve të ndryshme gjatë periudhës së sundimit romak: stela, pllaka mbivarrore, altarë votive, cipusë, shtatore dhe baza të shtatoreve, relieve, osuarii (lloj arkivolesh për ruajtjen e eshtrave të të ndjerëve) dhe elemente të ndryshme dekorative arkitektonike.
Mjeshtrit gurgdhendës me përvojë dhe ata me njohje të gjuhës latine, pa dyshim që kanë ardhur nga jashtë Dardanisë, por derisa në Ulpianë kemi legjenda për mjeshtrit gurgdhendës të ardhur nga Bizanti Florin e Lavrin dhe mësuesit e tyre Maximus dhe Proculus, në rajonin e Pejës, por as në madenet e tjerë të gurit në territorin e pjesës qendrore të Dardanisë, për fat të keq, së paku deri tash, nuk ka të dhëna as për udhëheqësit e madenëve të gurit e as të punëtorive gurgdhendëse.
Në kohën e përhapjes intensive të krishterimit, por edhe më vonë, gurorët e kohës romake kishin vazhduar të eksploatohen, por në shumë raste për ndërtime përdoreshin edhe monumentet gurore dhe elementet arkitektonike të kohës romake si material ndërtimor, me ç’rast janë shkatërruar dhe dëmtuar shumë sosh.
Koha.net