Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore organizohet në Tiranë, Ministri Hasani: Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka njoftuar se të hënën Shqipëria do të presë Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një ngjarje e rëndësishme në kuadër të presidencës shqiptare të këtij forumi rajonal.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ministri Hasani u shpreh: “Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.”
SEECP është një platformë kyçe për dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërfqinjës në Evropën Juglindore. Në të marrin pjesë 13 vende: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia. Të gjitha janë gjithashtu anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Presidenca e Shqipërisë në SEECP për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025 po përmbyllet nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Pas Tiranës, drejtimin e forumit do ta marrë Sofja.
SEECP u themelua në vitin 1996 në Sofje dhe organizoi Samitin e tij të parë në vitin 1997 në Kretë. Sot, ai mbetet një nga platformat kryesore për ndërtimin e besimit dhe forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

