Ministrat mbledhin drejtuesit e policisë: Zero tolerancë për krimet mjedisore
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro zhvilluan sot një takim me drejtuestit e Policisë së Shtetit, me fokus ndëshkimin e krimeve mjedisore.
Ministri Çuçi kërkoi nga strukturat policore klasifikimin e krimeve mjedisore, me të njëjtin prioritet si lufta ndaj krimit të organizuar, apo krimet ndaj jetës e pronës. Për çdo metër katror territor dhe dëmtim që ndodh në të, do të ketë përgjegjës dhe përgjigjegjësi të punonjësve të policisë.
Ministri ka qenë i prerë në këtë çështje duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerim, por ndëshkim të ashpër ligjor për ndotje të mjedisit, prerje pyjesh apo dëmtim të lumenjve.
Nga ana e saj, ministrja e Mjedisit Kumbaro nënvizoi se përmes akteve ligjore, që janë duke u hartuar dhe bashkëpunimit e koordinimit në terren të institucioneve si: strukturat e mjedisit, IKMT dhe Policisë së Shtetit, lufta ndaj krimeve mjedisore do të zhvendoset në një fazë të re, më intensive.
Në këtë angazhim do të ketë një rol më aktiv të Bashkive, si përgjegjëse për territorin, por roli i qeverisë qendrore do të jetë më i fortë në mbrojtjen e kujdesin ndaj mjedisit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano u shpreh se problematika për çështjet mjedisore qëndron. Ai tha se Policia e Shtetit, e cila zbulon ngjarje kriminale shumë të sofistikuara, i ka të gjitha kapacitetet për të gjurmuar dhe ndëshkuar edhe këtë natyrë krimi. Ky takim vjen në kohën kur ditën e djeshme në prezantimin e buxhetit të policisë së shtetit, kryeministri Rama paralajmëroi 0 tolerancë ndaj krimeve mjedisore.