Ministri Balla: Dënim ekz*mplar për vr*sësin e policit, koha për të vendosur një standard të ri

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh me tone të forta nga seanca në Kuvend, kur tha se vendit i duhet një politikë e re penale, ndërsa i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë me paanshmëri vrasjen e punonjësit të Policisë në Fier, dhe të japë dënim ekzemplar për autorin.

“Nëse qytetari mendon se ka të drejtë ndërsa punonjës i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtën madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por çdo veprim kundërshtimi nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin.

Ne, Kuvendi dhe qeveria e bashkë me shoqërinë, nuk duhet të pranojmë kurrsesi dhe raste ku përfshihen edhe deputetët kur shkojnë të shtyhen të fyejnë, të kërcënojnë, të kanosin me dhunë dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal duke vendosur një standard të ri, ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim. I bëj thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri, ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar”, tha Balla.

SHKARKO APP