Ministri Balla falenderon forcat e angazhuara në gjetjen e nënës me 3 fëmijët: T’i shkohet deri në fund hetimit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shprehur mirënjohjen për të gjithë forcat që u angazhuan në gjetjen e trupave të 3 fëmijëve dhe nënës së tyre Alma Arrazi që u vetëmbytën në lumin Buna disa ditë më parë. Nga ana tjetër, ministri kërkon që kësaj çështjeje t’i shkohet deri në fund.

”Fatkeqësisht dyshimet tona për ngjarjen e rëndë dhe shumë të trishtueshme në Shkodër u konfirmuan me gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijëve. Tani duhet t’i shkohet deri në fund hetimit të plotë të rrethanave, shkaqeve dhe fajësisë së kësaj ngjarje të rëndë.

Gjykata e Shkodrës ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e bashkëshortit nga Policia e Shtetit, e cila ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune.

Edhe pse kanë bërë detyrën dua t’i falenderoj polumbarët e RENEA dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike për angazhimin e tyre. Sapo kam falenderuar kolegun Danilo Šaranović, Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, për angazhimin efektiv të forcave të tyre policore gjatë kërkimit. Mirënjohje edhe banorëve dhe peshkatarëve të zonës për angazhimin e tyre në këto dy ditë të vështira”,-shkruan Balla.

SHKARKO APP