Ministri Balla shkon në Vlorë, viziton 26-vjeçaren e dhunuar: Të ndiqen penalisht autorët

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vizitoi këtë të mërkurë në spitalin e Vlorës, 26-vjeçaren e cila u përdhunua disa ditë më parë. Në një komunikim me gazetarët, Balla theksoi se viktimat e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore duhet të mbrohen dhe trajtohen me dinjitet e respekt. Ai nënvizoi se është detyra jonë që ta adresojmë me vendosmëri dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrim masat për të parandaluar dhunën ndaj vajzave, grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.

“Këtu është momenti për të kujtuar se çdo lloj përdorimi i lëndës narkotike, jo vetëm që rrezikon jetën, sepse vajza ka ardhur këtu në gjendje të rënduar shëndetësore, por natyrshëm që mjekët po vazhdojnë veprimet e tyre për të vlerësuar dhe dhunën seksuale. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo vajzë, çdo motër të vendit tonë nga çdo formë dhune mbi bazë gjinore apo forma të dhunës seksuale. Ne, për të, do të ofrojmë gjithë mbështetjen ligjore duke ofruar asistencën ligjore përmes instrumenteve që ka Ministria e Drejtësisë. Apeli im është që të kryhet një hetim i plotë, i paanshëm dhe i pandikuar. Çdo viktimë e dhunës me bazë gjinore apo dhunës seksuale dua të garantoj që do të merret nga ne në mbrojtje. Për të garantuar edhe riintegrimin në shoqëri, kam pasur një bisedë shumë të mirë me vajzën. Dhe mezi pres që ajo t’i rikthehet jetës së vet normale. Përkujdesja ime personale dhe e gjithë miqve të tjerë, edhe e kryetarit të bashkisë Vlorë, do të jetë sa më e plotë”, u shpreh Balla.

I pyetur nëse vajza është rikthyer sot në spital, Balla tha se “arsyeja pse unë jam në spital nuk është për shkak të gjendjes shëndetësore, por për shkak se në këtë moment po bëheshin disa veprime që ka ngarkuar prokurori”. Se pse policia doli pak me vonesë në deklaratën për shtyp për sa i përket personit të katërt të dyshuar, Balla u shpreh se “nuk është aspak e vërtetë që Policia ka reaguar me vonesë”.

SHKARKO APP