Ministri Balla takon homologun italian: 14 ekipe të përbashkëta hetimor për goditjen e krimit të organizuar
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla këtë të martë ka pritur homologun italian Matteo Piantedosi. Ky i fundit ka shprehur ngushëllimet për vrasjen e policit të ”Shqiponjave” Novruz Cenaliaj. Balla shkruan se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit italian, Guardia di Finanza dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese italiane është në nivelin më të lartë dhe më efikas.
”Kemi në veprim 14 ekipe të përbashkëta hetimore për goditjen e krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe ato sintetike, krimin kibernetik, financiar etj. Jemi të angazhuar në operacione të përbashkëta edhe në kuadër të Interpol dhe Europol”,-shkruan Balla.
Për më tepër, ministri nënvizoi se ”Gjatë sezonit turistik do të mbështetemi me forca policore dhe mjete motorike lundruese të policisë italiane, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe detare të pushuesve”.