Ministri Balla zbulon ku fshihen personat me rrezikshmëri të lartë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se vetëm në Tiranë janë të shpallur në kërkim 1 mijë persona, shumica e të cilave fshihen jashtë vendit. Në emisionin “Opinion”, Balla tha se një pjesë e tyre ndodhen në Dubai, ndërsa një pjesë tjetër fshihen në vendet e BE. Balla gjithashtu deklaroi se autoritetet shqiptare e kanë një listë të personave që fshihen në Dubai.
“Vetëm në Tiranë janë 1 mijë persona në kërkim dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë në Shqipëri. Personat me rrezikshmëri të lartë gjenden një numër i caktuar në Dubai, ka një numër të caktuar në vende të ndryshme të Evropës të fshehur”, tha ministri Balla.
Referuar operacionit të fundit të SPAK, ku u arrestuan disa persona, mes tyre edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë policie, Balla deklaroi se çdo punonjës policie tashmë do të duhet të plotësojë një formular, ku të deklarojë nëse ka pasur apo jo telefon me SKY ECC.