Ministri Blendi Klosi:Zbardhni çdo vend pune në të zezë

 

Në kuadër të luftës kundër informalitetit në tregun e punës, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka zhvilluar sot në Pogradec një takim me drejtuesit qendrorë dhe rajonalë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku dhe ka kërkuar një angazhim më të madh të tyre në luftimin e punës së zezë dhe shtimin e kontributorëve në skemën e pensioneve. Në fjalën tij, ministri Klosi ka kërkuar një bashkëpunim më të madh të të gjitha strukturave shtetërore për të evidentuar dhe nxjerrë nga puna e zezë çdo punëtor dhe për ta futur atë në skemë. “Doja t’i bëja një kërkesë secilit prej jush, që të keni një bashkëpunim shumë më të ngushtë me inspektorin e Punës, me përfaqësuesit e Zyrës së Tatimeve, për të pasur gjithmonë e më shumë një kontributim të secilit punëmarrës në skemën e pensioneve”, – tha ministri Klosi.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që një vëmendje e madhe t’u kushtohet edhe atyre bizneseve që vazhdojnë të shkelin ligjin dhe të punësojnë persona pa i deklaruar ata në regjistrat e ISSH-së. “Së bashku me zyrat e Inspektoratit të Punës, të kemi një informacion të saktë për ata punëdhënës që afrojnë punësim jokorrekt për qytetarët shqiptarë. Ne duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku në luftën kundër informalitetit, në heqjen e punëtorëve nga puna e zezë dhe nga skllavëria e punës. Dhe për këtë ju keni një rol shumë të madh tek informimi i qytetarëve, te marrëdhëniet me publikun, që njerëzit të kuptojnë se sa e rëndësishme është çdo ditë e punës së tyre e deklaruar në sistem”, – shtoi Klosi.

Vëmendje në fjalën e tij, ministri Klosi i kushtoi edhe shtimit të numrit të kontributorëve në skemën e pensioneve për ata që jetojnë në fshat. Sipas tij, është përgjegjësi e ISSH-së dhe punonjësve të saj në çdo rajon dhe zonë, sado e largët që të jetë, për të ndërgjegjësuar fermerët që të futen në skemë dhe të derdhin kontribute për pension, pasi kjo do të jetë në të mirë të së ardhmes së tyre në momentin që do ndërpresin marrëdhëniet me punën. “Problemi i madh është ai i shtimit të skemës së kontributit vullnetar në fshat. Ajo funksionoi në mënyrë të shkëlqyer vitin e shkuar dhe tani kemi një pengesë apo frenim dhe kjo është e papranueshme, kjo është komplet përgjegjësi e juaja. Ndaj ne do kemi një vlerësim të performancës suaj. Sistemi juaj nuk është sistem pritës, për këtë arsye duhet të jeni më aktivë në këtë detyrë”, – tha ministri.

Gjithashtu, në kuadër të luftës kundër informalitetit, ministri është ndalur edhe te procesi i faljes së gjobave dhe mbledhjes së detyrimeve të tjera. Sipas tij, tani që ligji ka hyrë në fuqi, është detyrë e institucioneve shtetërore që të mbledhin kontributet e padeklaruara dhe të arkëtuara nga bizneset për punonjësit e tyre. “Një problem tjetër kemi problemin e zbatimit të ligjit të faljes së gjobave. Në shtator duhet të ishte mbyllur raporti juaj për bizneset që ndikoheshin nga ky problem. Kemi sot plot 11 miliardë lekë të paderdhura në skemën  e pensioneve. Dhe ky është një problem që duhet patjetër të marrë vëmendjen tuaj”, u shpreh Klosi.Më pas, ministri Klosi është ndalur në qytetin e Korçës, ku ka marrë pjesë në inaugurimin e Qendrës Ndërkulturore për komunitetin egjiptian dhe rom, të realizuar në bashkëpunim me UNDP-në dhe Bashkinë Korçë. Gjithashtu, në këtë qytet ministri Klosi ka zhvilluar një vizitë në shkollën profesionale TIK “Fan S. Noli”, si dhe në Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Korçë, ku dhe u përuruan dy laboratorë mësimorë.

 

 

SHKARKO APP