Ministri Çuçi: Dronë super inteligjentë për kontrollin e territorit. Iku koha kur policët shtynin makinat
Edhe në Policinë e Shtetit do të përdoret teknologjia e lartë, duke bërë që gjithçka të monitorohet në kohë reale dhe kështu do të bëhet një ndryshim i madh në këtë sektor jetik të vendit, të ruajtjes së rendit dhe garantimin e sigurisë. “Në Shqipëri do të vijnë dronët super inteligjentë për kontrollin e territorit”. Këtë paralajmëroi një ditë më parë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së. Sipas tij ka ikur koha kur policët shtynin makinat që nuk ndizeshin dhe Shqipëria do të hyjë në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim.
“Kjo nuk është as retorikë as inerci, por çka po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim historik për të cilin mjafton t’ju jap një shembull: Këtë rrugë e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin dhe i shtynin policët. Në këtë mandat të tretë do e nisim me sjelljen në Shqipëri të dronëve super inteligjentë. Shqipëria do të hyjë modestisht për nga sasia, por edhe njësoj për nga cilësia, në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim”, tha Çuçi.
Duke folur për kontrollin e territorit, Çuçi tha se do të marrë fund epoka e zaptimit dhe ndërtimeve vend e pavend pikërisht duke monitoruar gjithçka përmes pajisjeve teknologjike të fundit siç janë dronët super inteligjentë.
“Ne do të shtrijmë fuqinë e revolucionit digjital në të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit, ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike, do të kontrollojmë me precizion çdo metër katror të territorit të Shqipërisë. Do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke ose për kë voton. Asnjë tolerancë! Me teknologjinë do të bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe të kufirit, për parandalimin e çdo forme paligjshmërie, nga trafiqet, tek kultivimi i bimëve narkotike”, tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm gjatë vizitës së fundit në Turqi vizitoi fabrikën “Baykar Defense”, e cila prodhon dronë të teknologjisë së lartë. Çuçi tha se Shqipëria po vlerëson mundësinë për marrjen e këtyre dronëve për qëllime civile e urbane. Dronët SIHA të prodhuara në Turqi, u bënë ”ndërrues të lojës” në luftërat në Siri, Libi dhe Azerbajxhan. Mjetet ajrore të armatosura pa pilot me kosto të ulët, sipas “The Wall Street Journal”, kanë marrë stafetën duke lënë pas avionët të cilët përdoreshin më parë që kishin një kosto shumë më të lartë dhe nuk ishin aq praktik sa dronët.
“Kjo taktikë e re e luftës, e cila shfaqi sukses në konfliktet rajonale vitin e kaluar, ndryshoi ekuilibrin strategjik rreth Turqisë dhe Rusisë. Teknologjia digjitale me kosto të ulët e prodhuar në Turqi ka shkatërruar tanke, automjete të tjera të blinduara dhe sisteme mbrojtëse në luftërat që Rusia ka marrë përsipër në Siri, Libi dhe Azerbajxhan. Këto dronë të armatosur janë aq efektivë sa ata që zotërojnë teknologji të lartë të pajisjeve luftarake me kosto të lartë, por janë më të lirë në çmim”, shkruhet në lajmin e gazetës.