Ministri Çuçi takim online me kreun e EUROPOL: Bashkëpunimin me SPAK-un dhe BKH-në

Që nga shpallja e pandemisë, takimet po zhvillohen online. I tillë ishte edhe takimi që ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilloi me drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL, Catherine De Bolle. Vetë Çuçi tha se është diskutuar për shtrirjen e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit edhe me institucionet e reja të drejtësisë të ngritura në vendin tonë siç është SPAK e BKH. ”Shqipëria ka ambicien të marrë një rol të shtuar në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacione njësoj si të ishte një shtet anëtar i Bashkimit Europian”,-tha Çuçi. I pranishëm në takim ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Postimi i plotë

Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL, Catherine De Bolle. Diskutuam mbi stadin e bashkëpunimit të deritanishëm, ku Shqipëria është një aktor i përfshirë në formë të drejtpërdrejtë në operacionet e përbashkëta kundër trafiqeve dhe veprimtarive të tjera kriminale.

Çështje tjetër me rëndësi gjatë diskutimit që pata me të, ishte edhe shtrirja e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit edhe me institucionet e reja të drejtësisë të ngritura në vendin tonë siç është Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Rritja e sasisë dhe e cilësisë së informacionit të shkëmbyer, si dhe ky dimension i ri bashkëpunimi që duam të krijojmë me SPAK e BKH, do të ndihmojë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.

Shqipëria ka një rol aktiv në EUROPOL dhe vijon të jetë shtet drejtues në operacione veprimi, por kemi natyrisht ambicien të marrim një rol të shtuar në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacione njësoj si të ishim shtet anëtar i Bashkimit Europian.

SHKARKO APP