Ministri Gonxhja: Paketa e Maleve, synon tërheqjen e investimeve direkte të diasporës në veri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte pjesë e panelit për diplomacinë ekonomike në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2024”. Ai tha se aktualisht MEKI po vlerëson dy strategji të diplomacisë ekonomike, që mund të sjellin benefite në drejtim të Investimeve të Huaja Direkte, ashtu edhe në zgjerimin përtej kufijve kombëtare të sipërmarrjeve më të suksesshme vendase.

“E para lidhet me Paketën e Maleve (ose Investo në Tokën Tënde), e cila do të prezantohet zyrtarisht së shpejti. Kjo paketë synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte të Diasporës dhe orientimin e tyre për zhvillimin e zonave malore në Veri të vendit.

Nisma e dytë, e cila është ende në fazë konceptimi, lidhet me suportin e sipërmarrjeve të ndryshme shqiptare që janë provuar të suksesshme lokalisht në industri të ndryshme, për të zgjeruar veprimtarinë e tyre në vendet fqinje.

Ne besojmë fuqimisht që shqiptarët e diasporës duhet të kenë një rrugë të shpejtë dhe stimuj konkretë për të investuar në Shqipëri. Qëllimi ynë është që ata ta shohin vendin tonë jo vetëm si atdheun e tyre, por edhe si një mundësi të artë për investim dhe zhvillim. Bashkë mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, u shpreh ministri Gonxhja.

SHKARKO APP