Ministri Gonxhja prezanton skemën e transformimit të 523 kullave në Veri të vendit në asete të turizmit malor
Qeveria shqiptare po zgjeron Programin Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave, duke synuar transformimin e trashëgimisë kulturore të Veriut në një motor zhvillimi ekonomik dhe turistik.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi fazën e re të projektit në Malësinë e Madhe, ku janë bashkuar Agjencia e Kadastrës dhe studentët e Restaurimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ky hap synon dhënien e certifikatave pronësore dhe krijimin e projekteve profesionale restaurimi për të ruajtur origjinalitetin e kullave.
Deri tani janë inventarizuar 523 kulla në Lezhë, Shkodër, Dibër e Kukës, ku 28 projekte restaurimi janë realizuar nga 39 studentë në 13 bashki. Kullat do të shndërrohen në qendra muzeale dhe etnografike që promovojnë xhubletën, lahutën dhe artizanatin lokal.
Pas një faze pilot 2023–2025 me 20 kulla të kthyer në bujtina, plani kombëtar për zbatimin e plotë do të nisë 2027–2029, me buxhet fillestar prej 400,000 eurosh. Ekspertët vlerësojnë se kjo do të diversifikojë ofertën turistike dhe do të rrisë profilin e Shqipërisë si destinacion i turizmit autentik.
KOHA JONË SONDAZH

