Ministri Hoxha në takimin e Procesit të Berlinit: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore në BP
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha mori pjesë në takimin e ministrave të brendshëm të Procesit të Berlinit, bashkë me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE-së të përfshira në këtë platformë. Ministri Hoxha falënderoi Gjermaninë për angazhimin dhe përkushtimin që ka në këtë iniciativë të rëndësishme dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij Procesi.
Ai informoi se janë ndërmarrë një sërë iniciativash, që kanë rritur jo vetëm koordinimin me vendet e rajonit dhe të BE-së, por edhe angazhime të përkthyera në objektiva kombëtare bazuar në sfidat aktuale të sigurisë. Hoxha deklaroi se, për Shqipërinë mbetet shumë i rëndësishëm forcimi i mekanizmit kombëtar të riintegrimit. Hoxha propozoi krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave dhe analizave mbi flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit drejt BE-së.
Gjatë këtij forumi, ministri Hoxha pati takime të veçanta me zv.drejtorin e Përgjithshëm të DG Home, Oliver Onidi, si dhe me ministren e Shtetit për Sigurinë Kufitare dhe Azilin në Mbretërinë e Bashkuar, Angela Eagle. Komisioneri Onidi vlerësoi progresin e Shqipërisë, që sipas tij, ka treguar përkushtim në avancimin e zbatimit të Planit të Veprimit BE-Shqipëri kundër migracionit të parregullt dhe luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. Ai nënvizoi rolin e Shqipërisë si një ndër partnerët më të vyer në luftën kundër dukurive të paligjshme, si dhe për hapat kyç që ka ndërmarrë për sigurinë e kufijve të saj, e respektivisht, edhe sigurinë e vendeve të BE-së.
Për procesin e integrimit ai shtoi faktin se, procesi screening është i përmbyllur dhe se tashmë ka ardhur koha për të kaluar tek negociatat. Ndërsa në takimin me ministren britanike, ministri Hoxha falënderoi për mbështetjen dhe veçoi rezultatet e arritura, falë bashkëpunimit mes dy vendeve ku po funksionon Taskforca e përbashkët, në uljen drastike të numrit të emigrantëve drejt Anglisë. Dy ministrat diskutuan gjithashtu për organizimin e një dialogu të përbashkët, mbi luftën kundër krimit të organizuar, si një hap për të thelluar bashkëpunimin.