Ministri i Financave, Ervin Mete: Borxhi publik ra në 59.2% të PBB-së në vitin 2023

U mikëprit sot në Tiranë Mbledhja e Konstituencës* të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB). Ky takim i organizuar nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, mbledh së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konsistituence dhe zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Në fokus të kësaj mbledhjeje ishin sfidat aktuale me të cilat po përballen ekonomitë e këtyre vendeve dhe përqasjet sa më eficiente dhe të koordinuara me qëllim zhvillimin e tyre. Gjithashtu përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve lidhur me sfidat globale si, luftrat dhe konfliktet, rritja e frekuencave të fatkeqësive natyrore, shtimi i varferisë dhe pabarazisë dhe hapat që ata po ndermarrin për ti trajtuar këto probleme duke synuar rritjen e qëndrueshme të ekonomive të vendeve.

Ministri i Financave u shpreh në fjalën e tij se edhe në vlerësimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria rezultoi si një nga ekonomitë më rezistente në rajon dhe kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.

Mete vuri në dukje se borxhi publik jo vetëm që zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit. duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.

“Borxhi publik jo vetëm zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon”.

Ministri Mete theksoi se po punohet për finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, në koordinim me Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të avancimit me negociatat drejt BE-së. Pjesë e reformave të Menaxhimit të Financave Publike është edhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të cilën kemi punuar së bashku me FMN-në për të përmirësuar administrimin fiskal dhe efektshmërinë e politikave tatimore.

Guvernatori Sejko në fjalën e tij shprehu kënaqësinë e hapjes së këtij aktiviteti dhe falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin e deritanishëm në fushat me interes të përbashkët.

Në vijim, Guvernatori u shpreh se viti 2023 për Shqipërinë u mbyll me një rritje ekonomike rreth nivelit 3.5%, me një normë papunësie në minimumet e veta historike, si dhe me një borxh të huaj, borxh publik dhe tregues të kredive me probleme, poshtë niveleve që kishin përpara goditjeve. Në veçanti, inflacioni u përgjysmua gjatë vitit të shkuar, duke zbritur në nivelin 4%, ndërsa treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten pozitivë.

“Një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë. Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente. Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi”, theksoi Guvernatori.

Ndër të tjera Guvernatori nënvizoi se banka qendrore duhet të çojë deri në fund luftën kundër inflacionit. Trendi rënës i tij është lajm i mirë, por një inflacion në rënie nuk është një inflacion në objektiv. Prandaj, bankat qendrore duhet të vijojnë të fokusohen në marrjen e masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, si parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomive dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Ministri i Financave dhe Guvernatori zhvilluan gjithashtu takime dypalëshe me homologët e tyre pjesëmarrës në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së interesit për investime strategjike në Shqipëri./ MONITOR

SHKARKO APP