Ministri, Igli Hasani dhuron 300 abetare për nxënësit e shkollës “Alba Life” në New York
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vizitoi shkollën shqipe “Alba Life” në New York.
Hasani ndau në rrjete sociale momente nga kjo vizitë, teksa shkroi se, shkolla shqipe “Alba Life” në New York është një institucion që luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare”.
“Në këto 17 vite, kjo shkollë ka qenë shembull frymëzues i bashkëpunimit dhe përkushtimit në arsim, duke fituar me meritë titullin ‘Ambasador i Kombit’ “, tha Hasani.
“Te mësoni shqip, që të ruani traditën e prindërve dhe familjeve tuaja. Jam i emocionuar që jam mes jush, sepse e di kush është sakrifica e familjeve tuaja, por e dhe shkolla po punon që ju të ruani dhe të zgjeroni ato dije të gjuhës shqipe”, theksoi Hasani.
Ministri gjatë kësaj vizite ndau 300 abetare për nxënësit e shkollës, si mbështetje simbolike në rrugëtimin e tyre drejt mësimit të gjuhës amtare.
Ai shprehu falënderime për nxënësit dhe mikpritjen, teksa e cilësoi këtë institucion, tempull të dijes kuq e zi.
“Falënderime nxënësve për mikpritjen në këtë tempull të dijes kuq e zi dhe stafit të shkollës për përkushtimin ndaj edukimit të brezave të rinj me dashuri për gjuhën dhe Shqipërinë”, tha Hasani.
/a.f/