Ministri Klosi: Kush refuzon punën, i hiqet statusi i të papunit. Luftë dembelizmit!

 

 

Çdo punëkërkues që është regjistruar në zyrat e Punës, në rast se nuk pranon punën e përshtatshme që i ofrohet prej tyre, do humbasë statusin e të papunit. Këshilli Kombëtar i Punës i mbledhur sot, ndërmjet të tjerave ka miratuar në parim draft-ligjin e përgatitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë “Për punëkërkuesit e papunë”, i cili synon të frenojë fenomenin e dembelizmit dhe të stimulojë të papunët që të pranojnë të punojnë në vendet e punës që ofrojnë zyrat përkatëse. Nisur pikërisht nga paradoksi i situatës që haset sot në zyrat e Punës, ku nga njëra anë ekzistojnë 150 mijë kërkesa për punë dhe nga ana tjetër gjenden plot 26 829 vende pune që presin punëtorë, drafti i propozuar kërkon që të ofrojë mekanizma, të cilët do të nxisin të papunët që të pranojnë punën që u ofrohet.

Ka qenë ministri i MSR-së, Blendi Klosi, ai që ka prezantuar këtë draft para anëtarëve të Këshillit të Punës, ku veç institucioneve shtetërore ishin prezentë edhe përfaqësuesit e sindikatave dhe ata të biznesit, të cilët u shprehën parimisht dakord me këtë projektligj. “Ne nuk mund të pranojmë që një sistem i tërë të sponsorizojë dembellëkun e qytetarëve shqiptarë, pra të shkojnë të kërkojnë punë dhe të mos pranojnë të punësohen në vendet e punës që biznesi ofron. Projektligji që propozojmë dhe kërkojmë ta miratojmë së bashku synon që punëkërkuesit të mos presin dhe të marrin pagesën e ndihmës ekonomike si të vetmen mundësi për të jetuar, por të aftësohen dhe të punojnë pranë bizneseve që kërkojnë punonjës të kualifikuar. Projektvendimi kërkon që njerëzit të orientohen drejt punës së denjë”, – tha ministri.

Më tej, duke prezantuar risitë e këtij projektligji, ai ka theksuar se me miratimin e tij, një person që regjistrohet si i papunë në zyrat e Punës, do duhet të pranojë punën e përshtatshme që i ofrohet nga kjo zyrë. Jo vetëm kaq, por ai duhet të pranojë edhe që të marrë pjesë në kurset e kualifikimit profesional, që do t'i ofrohen nga institucionet shtetërore falas. “Ne kërkojmë që, në bazë të ligjit të ri, punëkërkuesit t'i hiqet apo t'i refuzohet statusi i punëmarrësit të papunë, nëse oferta e përshtatshme apo programet e tjera të përshtatshme kundërshtohen, refuzohen apo nuk pranohen gjatë intervistimit të tij të parë apo në takimet e tjera të radhës. Pra, kur punëkërkuesi i papunë refuzon një vend të përshtatshëm, qoftë edhe një herë të vetme, kur kërkon punë dhe deklaron një gjë të tillë, kur punëkërkuesi i papunë refuzon pjesëmarrjen në programin e nxitjes së punësimit, apo në programet e tjera të punësimit, siç mund të jenë punët publike apo komunitare, kur punëkërkuesi i papunë refuzon pjesëmarrjen në formimin profesional falas, atëherë zyra e punësimit heq statusin e punëkërkuesit të papunë apo punësimit të tij dhe njofton menjëherë institucionet përgjegjëse për ndihmën ekonomike, për ta hequr atë nga skema”, – u shpreh ministri Klosi.

Ministri Klosi ka theksuar se një rol të madh në këtë drejtim duhet të luajnë edhe zyrat e Punës, të cilat siç theksoi ai, pavarësisht ndryshimit të madh që kanë sjellë në shërbim ndaj qytetarëve gjatë këtyre dy viteve, kanë ende nevojë për t'u kthyer në negociatorë të mirëfilltë mes biznesit dhe punëmarrësit. “Është e vërtetë që zyrat e Punës tani janë në terren, ato kanë dalë prej dy vitesh nga pluhuri në të cilin ishin fundosur, kanë dalë nga mosfunksionimi dhe janë bërë politika të vërteta të raporteve të punës në vendin tonë. Ne sot, në zyrat e Punës kemi mundësi të komunikojmë me qytetarët. Prandaj ne nuk kemi frikë që të themi se zyrat tona të Punës, edhe pse situata është shumë më pozitive në krahasim me kohë më përpara, sërish kanë probleme, të cilat duhet t'i diskutojmë”, – tha ministri, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të çelen dhe zyra të reja pune moderne, të ndërtuara në bashkëpunim me biznesin.

Projektligji “Për punëkërkuesit e papunë” vjen si një kërkesë e sipërmarrësve, të cilët kërkojnë punonjës, por nuk mund t'i gjejnë ata në zyrat e Punës, për shkak se, të joshur nga ndihma ekonomike, refuzojnë të pranojnë vendet e punës së ofruar nga biznesi. “Projektligji që paraqitet sot është një propozim i sipërmarrjes private, i biznesit shqiptar. Ka pasur një kontradiktë midis mundësive që ofron sipërmarrja për sektorë të ndryshëm dhe papërgatitjes së punëkërkuesve, por edhe të zyrave të Punës për të bërë ndërmjetësin. Realiteti ka ofruar shembuj të tillë, ku sipërmarrja ka ofruar punë për mjaft sektorë në ekonomitë e tyre dhe punëkërkuesit e rinj të regjistruar në zyrat e Punës kanë refuzuar; shkaku kryesor që refuzojnë është pikërisht se thonë që ne jemi dakord që të vijmë të fillojmë një punë të re, por mos na regjistroni si të punësuar, se duan të marrin dhe ndihmën sociale. Pra duan edhe ndihmë sociale, edhe të futen në punë. Prandaj, për ta zgjidhur këtë kontradiktë, biznesi propozoi këtë zgjidhje”, – tha kreu i Biznes Albania-s, Luan Bregasi.

Këshilli Kombëtar në këtë mbledhje ka diskutuar edhe për çështjen e luftës kundër informalitetit në tregun e punës, ku drejtoritë dhe institucionet përkatëse kanë raportuar rezultatet e tyre. Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se, sa i përket luftës kundër informalitetit, vetëm në dy muaj aksion është bërë i mundur deklarimi në skemën e sigurimeve shoqërore si të punësuar më shumë se 100 mijë persona. Gjithashtu, Këshilli diskutoi edhe mbi dokumentin e politikave për sigurinë dhe shëndetin në punë, 2015-2020.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP