Ministri Klosi nga Elbasani thirrje punonjësve: Mos pranoni të punoni në të zezë

 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi iu ka bërë thirrje dje gjithë punëmarrësve që të mos pranojnë të punojnë në të zezë, por të kërkojnë nga punëdhënësit e tyre që t’i deklarojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Nga Elbasani ku inspektoi nga afër një nga bizneset e mëdha në fushën e përpunimit të peshkut, ministri Blendi Klosi u ka përcjellë një mesazh të qartë bizneseve në rolin e punëdhënësve, se në kuadër të luftës kundër informalitetit, nuk do të lejohet më që të punësojnë persona të padeklaruar.

Gjithashtu, ai iu ka bërë thirrje të gjithë punëmarrësve që të kërkojnë të drejtat e tyre për t’u deklaruar dhe për të përfituar sigurimet shoqërore. “Do donim që t’u bënim thirrje të gjithë punonjësve që të kërkojnë nga punëdhënësit që të sigurohen dhe të paguajnë sigurimet shoqërore, pasi pagimi i sigurimeve shoqërore iu jep atyre mundësinë që të kenë një punë të denjë, por edhe i nxjerrë nga skllavëria e punës së zezë”, – tha ministri Klosi në fjalën e vet.

Duke theksuar se lufta kundër informalitetit në tregun e punës është një nga prioritetet e qeverisë, jo vetëm për shkak se ai ndikon direkt në sistemin e sigurimeve shoqërore, por edhe sepse dëmton direkt punëmarrësit, ministri Klosi iu ka ofruar atyre mbështetjen shtetërore për të qenë të mbrojtur në kërkesat e tyre për të pasur një punë të denjë. “Punëmarrësit do të kenë mbështetjen e shtetit në kërkimin e kësaj të drejte, ndaj ata nuk duhet të ngurojnë që t’i kërkojnë punëdhënësit që t’i deklarojë dhe t’u paguajë sigurimet shoqërore. Kjo pasi pagimi i sigurimeve sot, u garanton atyre një jetë më të mirë nesër kur të kenë shkëputur marrëdhëniet me punën”, – tha Klosi

Duke marrë shkas nga kërkesa që përfaqësuesi i biznesit që vizitoi kishte për punëtorë, ministri Klosi kërkoi nga të gjitha institucionet shtetërore që të angazhohen plotësisht për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të biznesit për t’u siguruar atyre një fuqi punëtore të kualifikuar.

“Ky biznes ka një kërkesë dëshpëruese për punëtorë. Bëhet fjalë për një kapacitet prej më shumë se 1 mijë punëtorësh. Kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e zyrave tona të punës. Ne nuk mund të rrimë në këtë situatë, por duhet të jemi shumë më aktivë. I gjithë sistemi ynë i arsimit tonë profesional duhet të jetë në përputhje të plotë me kërkesën e biznesit dhe të tregut të punës. Ne nuk mund të vazhdojmë të bëjmë kurse për profesione që nuk ekzistojnë më. Ne nuk mund të shkojmë me zyra pune që funksionojnë në bazë lagjeje, por duhet të funksionojmë me strategji rajonale”, – tha Klosi gjatë takimit që zhvilloi më pas me drejtuesit e zyrave të punës për qarqet Elbasan dhe Korçë, inspektoratin e punës, drejtuesit e shkollave profesionale si dhe komunitetin e biznesit.

 

 

 

SHKARKO APP