Ministri Koka: Franca aleatja në BE e Shqipërisë

 

Shqipëria ka qenë e angazhuar në konferencën klimatike që u zhvillua në Paris. Ministri i Mjedisit Lefter Koka ndan përshtypjet e tij në lidhje me përmirësimin e kushteve klimatike, dhe njëkohësisht ka shprehur faleminderit për vendin pritës. "Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim zyrtar me senatorin francez Z.Alain Richard, ish- Ministër i Mbrojtjes Franceze, aktualisht anëtar i Senatit francez në Komisionin e Ekonomisë. Pasi e njoha me zhvillimet aktuale ekonomike të vendit tonë, i kërkova politikanit të njohur francez, mbështetjen e Francës në sektorin mjedisor, si dhe promovimin te investitorët francezë për mundësitë që Shqipëria ofron në çdo sektor, veçanërisht në drejtimin e partneritetit publik privat. Shpreha bindjen se ekspertiza franceze për sektorin e mjedisit është eksperiencë e vyer për Shqipërinë", shkruan Ministri Koka në postimin e tij në rrjetin social facebook.

Ministri së bashku me grupin e tij është ende në Francë, ku ka zhvilluar një takim me Z.Alain Richard, ish- Ministër i Mbrojtjes Franceze, aktualisht anëtar i Senatit francez në Komisionin e Ekonomisë. Z.Richard gjatë takimit ka shprehur se Franca do të lobojë pranë BE-së për fonde për Shqipërinë dhe gjithashtu Franca do të lobojë në BE për grante të veçanta për sektorin mjedisor në vendin tonë. 
 
Në fund të këtij takimi është arritur një marrëveshje për bashkëpunim në një kohë sa më të afërt midis Ministrisë sonë të Mjedisit dhe Ministrisë Franceze të Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Energjisë.

 

Redjon Shtylla

 

SHKARKO APP