Ministri kroat viziton shkollën dhe kopshtin “Iliria” në Fushë-Krujë, rindërtuar tërësisht me financim nga Kroacia

Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, vizitoi shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “Iliria” në Fushë-Krujë, Bashkia Krujë, rindërtuar tërësisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me një financim prej 1 milion Euro nga Qeveria e Kroacisë. Shkolla dhe kopshti janë dëmtuar rëndë nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në vitin 2019-të. Shkolla dhe kopshti i shërbejnë 156 nxënësve dhe kanë në përbërje 14 punonjës mësimor. Ndërtimi i tyre u bazua në dy parime themelore: “Rindërtojmë më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”.

“Rindërtojmë më Mirë” nënkupton struktura më të qëndrueshme që mund t’i bëjnë ballë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, ndërkohë që përmbushin standardet ndërkombëtare për cilësi dhe siguri. Ndërkohë, nxënësit, prindërit dhe komuniteti janë angazhuar në konsultime dhe komunikim të vazhdueshëm për ta sjellë projektin “për shtat” me nevojat e tyre, në kuadër të parimit “Rindërtojmë Së Bashku”.

Shkolla e re, e cila furnizohet me burime të rinovueshme energjie, ofron akses për nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ka hapësira të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike. Shkolla ka edhe laboratorë, palestër të mbyllur dhe një fushë sportive. Gjithashtu, kjo shkollë do të shërbejë edhe si qendër komunitare.

Përgjatë vizitës, Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë ndërveproi me fëmijët dhe mësuesit rreth mundësive të reja të mësimnxënies dhe mësimdhënies që tashmë shkolla dhe kopshti i ri ofrojnë.

Ministri Gordan Grlić-Radman u shpreh: “Kjo shkollë nuk është vetëm një ndërtesë, por është njëkohësisht simbol i shpresës dhe qëndrueshmërisë. Të gjithë kujtojmë tërmetin shkatërrues që goditi Shqipërinë në Nëntor të 2019-tës, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe humbje jete. Sot ne jemi të kënaqur që kemi qenë në gjendje të luajmë një rol në përpjekjet e rindërtimit përmes projektit tonë më të madh të bashkëpunimit dypalësh për zhvillim deri më sot”.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino nënvizoi: “Shkolla dhe Kopshti “Iliria” përfaqësojnë shpresë, qëndrueshmëri dhe progres për komunitetin. Jemi mirënjohës ndaj kësaj mbështetjeje strategjike të Qeverisë Kroate, e cila na ka ndihmuar të ndërtojmë një objekt arsimor të qëndrueshëm dhe me aksesueshmëri të lartë për fëmijët dhe komunitetin e Fushë-Krujës”.

Mbështetja e Qeverisë Kroate në rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Iliria” reflekton rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndihmuar vendet në menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

SHKARKO APP