Ministri Manja pret të deleguarën e Amerikës: Angazhim të përbashkët në forcimin e shtetit të së drejtës

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim pune me të deleguarën e Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn. Ministria e Drejtësisë në një njoftim për mediet ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar. Ministri e uroi VanHorn për detyrën e saj të re dhe diskutoi në mënyrë të hapur mbi ecurinë e reformës në drejtësi, përfshirë arritjet dhe sfidat e ardhshme.

Të dyja palët ndanë qëndrimin e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në reformat kyçe dhe të pakthyeshme në fushën e drejtësisë. Manja e informoi VanHorn mbi punën e shkëlqyer që po kryhet nga stafet teknike të të dy vendeve në Tiranë, për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore në agjencitë e zbatimit të ligjit, që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë takimit, u ritheksua angazhimi i përbashkët për të punuar fuqimisht në forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, dhe sundimin e ligjit si rrugë e vetme drejt integrimit të Shqipërisë me Evropën.

SHKARKO APP