Ministri Mete me investitorët e huaj: Mbyllëm një vit pozitiv

Ministri i Financave, Ervin Mete mori pjesë në pritjen e organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA). Ministri e vuri theksin në fjalën e tij në bashkëpunimin me biznesin me qëllim për të çuar përpara perspektivën e ekonomisë shqiptare dhe përmirësuar më tej klimën e biznesit.

Ministri Mete tha se viti 2023 shënoi një moment të rëndësishëm për ekonominë e vendit. “Ne kemi patur një vit të mirë në 2023-shin. Po kalojmë një moment të mirë ekonomik, ndërkohë që ishim një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Kemi patur lajme të mira në fund të vitit: Kemi ulur borxhin në masë të konsiderueshme e jemi përmirësuar në vlerësimin e Standard & Poor’s, si edhe kemi dalë edhe nga lista gri. Të dyja këto kanë ndihmuar klimën e biznesit”,-u shpreh ai.

Edhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm, tha më tej Mete janë pozitive.  Në fund, ai shtoi se paralelisht me Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe Këshillin e Investimeve, do të rivitalizohet Këshilli Tatimor, si platforma diskutimi Qeveri-biznes.

“Besoj që ne kemi disa platforma shumë të mira ku ne shkëmbejmë ide, mendime, kemi Këshillin e Investimeve ku kemi pasur disa takime do thoja shumë frytdhënëse, kemi edhe Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe shumë shpejt Ministria e Financave do rigjallërojë dhe Këshillin Tatimor, ku do të diskutojmë për politikat fiskale dhe administratën tatimore si një nga fushat ku mund të bashkëpunojmë më shumë”,-tha Mete.

SHKARKO APP