Ministri Mete takon të Ngarkuarin me Punë të SHBA: Finalizojmë një marrëveshje të re për asistencën e Shqipërisë

Ministri i Financave, Ervin Mete, ka pritur në një takim zyrtar të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner, i cili shoqërohej edhe nga Majori Adrian Liptrot, Drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen në Ambasadën e SHBA.

Gjatë takimit është diskutuar mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, edhe përmes marrëveshjes së re të ndihmës së Qeverisë Amerikane për vendin tonë.

Ministri Mete vlerësoi mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë dhe vijojnë të japin për Shqipërinë, në kuadër të reformave të rëndësishme dhe procesit të integrimit të vendit.

Në këtë kuadër, Ministri vlerësoi marrëveshjen e re të asistencës përmes programeve të financimit të USAID, ku parashikohet vijimi i mbështetjes për Shqipërinë deri në vitin 2030 në kuadër të forcimit të shtetit të së drejtës, qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Bashkëbiseduesit theksuan gjithashtu rëndësinë për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e sigurisë, edhe si aleatë në NATO.

Në këtë drejtim, Wisner shprehu gatishmërinë për të vijuar mbështetjen për Shqipërinë, në fusha si siguria kibernetike, modernizimi i mëtejshëm i forcave të armatosura dhe rritja e kapaciteteve mbrojtëse.

SHKARKO APP