Ministri Peleshi: Situatë më e qetë nga zjarret, janë shuar 175 vatra

Pas afro 3 javëve luftë me flakët, situata sipas ministrit të Mbrojtjes paraqitet e qetë. Niko Peleshi thotë se janë shuar 175 vatra zjarri në të gjithë Shqipëri. “Pas 2 javësh në betejë me zjarret në të gjithë territorin e Shqipërisë, situata sot paraqitet me e qetë. Në të gjithë vendin janë shuar 175 zjarre, ndërsa mbeten aktive 9 vatra”.

Ndërhyrja nga ajri tha ministri, u bë përmes ekuipazheve të 7 helikopterëve të Shqipërisë, Holandës dhe Çekisë. Një ndihmë e madhe në punën për shuarjen e zjarreve ishte edhe mbështetja me pajisje nga SHBA. Po ashtu për mediat ai bëri edhe një raportim të situatës të të gjithë vatrave aktive.

“Aktualisht nuk ka më vatra zjarri në gadishullin e Karaburunit, por puna po vijon në Dukat të Ri, nga toka dhe nga ajri për të normalizuar tërësisht situatën për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi. Më e qetë paraqitet situata edhe në Mirditë, ku po vijon puna për stabilizimin e flakëve në fshatin Thirrë.

Nën kontroll po mbahen vatrat në fshatin Munellë dhe Domgjon. Po vijon puna nga toka dhe nga ajri për të izoluar vatrat e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi. Situata nuk paraqet më rrezik për tunelin e Kalimashit.

Nën monitorim janë disa vatra zjarri në vendin e quajtur Dragodi, në Luginën e Valbonës në Tropojë, ku dyshohet zjarrvënie e qëllimshme. Janë izoluar vatrat në drejtim të fshatit Patalej në Lezhë. Vijon puna për normalizimin e vatrës së riaktivizuar në zonën e Mbrojtur te Guri i Nikës në Pogradec, ku nuk paraqitet rrezik për banesa. Janë drejt shuarjes përfundimtare vatrat e zjarrit në Malin e Tomorrit dhe në fshatin Therepel në Skrapar”.

SHKARKO APP