Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha pritet në Prishtinë nga Albulena Haxhiu
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nisi sot vizitën zyrtare në Kosovë me një takim me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Takimi u zhvillua në Prishtinë në kuadër të vizitës zyrtare që ministri Hoxha po zhvillon në Kosovë, ku gjatë ditës janë parashikuar edhe takime të tjera me drejtuesit më të lartë të institucioneve kosovare.
Sipas agjendës zyrtare, ministri Hoxha do të pritet më pas nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndërsa vizita do të vijojë me takimin me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Dy ministrat e jashtëm pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministri Hoxha do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të partive politike në Kosovë, mes tyre Bedri Hamza, Ardian Gjini dhe Lumir Abdixhiku.
Në kuadër të vizitës zyrtare, kreu i diplomacisë shqiptare do të zhvillojë gjithashtu një takim në bazën e KFOR-it me komandantin e misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, si dhe me pjesëtarët e kontingjentit shqiptar të angazhuar në misionin paqeruajtës në Kosovë.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

