Ministri Tahiri: Qeveria Shqiptare strategji për parandalimin e ekstremizmit

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, u shpreh se qeveria shqiptare ka përgatitur një plan masash dhe një strategji të qartë për të parandaluar dhe eliminuar radikalizimin fetar dhe ekstremizmin në vendin tonë.

I pranishëm sot në konferencën “Radikalizmi Fetar dhe Ekstremizmi”, Ministri Tahiri u shpreh se në axhendën e vendit tonë,  zë një vend primar lufta ndaj radikalizmit fetar dhe ekstremizmit. Sipas tij, në Shqipëri ekziston një bashkëjetesë  fetare shembullore dhe kjo duhet ruajtur dhe duhet të jetë një model që duhet të vijojë në kohë.

“Në shtator të vitit  2014, Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, i bëri thirrje vendeve të OKB të luftojnë më shumë ekstremizmin, duke krijuar plan masash dhe axhendë të mirëpërcaktuar për këtë. Prej asaj kohe është bërë pjesë  e axhendës së shumë vendeve pasja e një qasje të re ndaj këtij fenomeni. Vendi ynë ka hartuar një plan masash për të parandaluar këtë fenomen dhe një strategji afatgjatë për ta eliminuar ekstremizmin  në vendin tonë, duke rritur bashkëpunimin me të gjithë aktorët që kanë kontribut në rritjen e luftës ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit”, tha Tahiri.

Sipas tij, lidhur me këtë fenomen duhet krijuar një sistem arsimor i shëndoshë, duhen krijuar dhe mbështetur qendra fetare të cilat duhet kthehen në model të luftës ndaj ekstremizmit. “Për të luftuar ekstremizmin duhet krijuar një sistem arsimor i shëndoshë dhe efiçent, që promovon vlerat shoqërore dhe modelet e mira Europiane. Duhet një sistem drejtësie i fortë dhe të pakorruptueshëm, që bënë drejtësi, pasi kështu do rritet besimi i qytetarëve tek institucionet. Duhen institucione fetare që përveç harmonisë fetare të promovojnë edhe vlerat e shëndosha të shoqërisë, duke eliminuar ndasitë mes tyre. Gjithashtu duhet luftuar varfëria, korrupsioni dhe mbi të gjitha luftën e përbashkët të shoqërisë civile, komuniteteve fetare, medias dhe të gjithë aktorëve të tjerë pjesë e vendit tonë për të promovuar vlerat e shëndosha të shoqërisë sonë dhe për ti kthyer ato në një model për të ardhmen”, përfundoi Ministri Tahiri, duke shtuar se, Ministria e Brendshme, do të mbajë shënimet gjetjet e kësaj konference për të ndërmarrë veprime të mëtejshme. Gjatë aktiviteti ku ishte i pranishëm, Ministri Tahiri, merrnin pjesë ambasadori amerikan, Donald Lu, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

SHKARKO APP