Ministri Vengu: Kemi një plan që sjell rritjen graduale për mbrojtjen deri në 2035-n
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot në një intervistë televizive se samiti i NATO-s në Hagë, konfirmoi qëndrueshmërinë e kësaj aleance, por gjithashtu dhe lidershipin amerikan. Ai e cilësoi shumë të rëndësishme, pasi sipas tij, nën lidershipin amerikan është bërë angazhimi i përbashkët i shteteve anëtare të NATO-s për rritjen e buxheteve të tyre të sigurisë dhe mbrojtjes.
“Siç e thatë edhe ju, samiti i NATO-s në Hagë konfirmoi tri gjëra: E para, u konfirmua qëndrueshmëria e Aleancës dhe fakti që është një aleancë e pandashme, ku vendet janë të angazhuara e të dedikuara për mbrojtjen kolektive. Elementi i dytë, është konfirmimi i lidershipit amerikan, dhe nën lidershipin amerikan, është bërë kjo përpjekje e ky angazhim i përbashkët që të rriten ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes e të gjitha vendeve aleate”, tha ai.
Po ashtu Vengu sqaroi se brenda një afati 10-vjeçar, pra deri në vitin 2035, vendi ynë të ketë arritur këtë buxhet prej 5% për mbrojtjen. Ministri tha se ekziston një plan, i bërë në bashkëpunim me ministritë, si ajo e Financave, e Jashtme, e Infrastrukturës dhe Energjisë, por dhe të institucioneve të tjera shtetërore, që çdo vit të ketë një rritje graduale të buxhetit. Sipas Vengut, në këtë mënyrë, Shqipëria provon dhe angazhimin e saj në NATO.
KOHA JONË SONDAZH

