Ministria dështon në kontrollin e Doktoraturave
I gjendur nën presionin e protestave të studentëve, kryeministri Edi Rama premtoi më 26 dhjetor të vitit të kaluar kontrollin e titujve akademik dhe gradave shkencore. Po këtë datë mban edhe vendimi nr. 777 i qeverisë që urdhëronte Ministrinë e Arsimit të siguronte software për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradës shkencore, këto të fundit duhet të dorëzoheshin brenda muajit shkurt të vitit të kaluar nga institucionet e arsimit të lartë.
Në Paktin për Universitetin u përcaktua qershori i vitit 2019 për nisjen e kontrollit të titujve akademik, por kur kanë kaluar 4 muaj procesi nuk ka filluar ende. Drejtues të universiteteve thonë se kontrolli do të kryhet nga institucionet e arsimit të lartë. Deri më tani ata nuk kanë ndërmarrë asnjë hap pasi kanë mbetur peng të programit antiplagjiaturë që do të duhej të sigurohej nga Ministria e Arsimit dhe më pas të vendosej në dispozicion të tyre.
Ministria ka konstatuar se nga viti 2007 deri më 2018 janë fituar 3 mijë e 700 grada shkencore “Doktor” dhe mbi 1 mijë tituj akademikë “Profesor i Asociuar”. Gjatë verifikimeve janë evidentuar mangësi në plotësimin e kritereve ligjore. Pavarësisht kësaj situate, deri më tani Ministria ka dështuar të kalojë në filtër titujt akademikë dhe gradat shkencore si dhe të përmbushë një prej premtimeve të bëra ndaj studentëve. Ndërkohë ka të paktën 5 vite që cikli i tretë i studime është bllokuar në universitete. /Ora News/