“Ministria e Bujqësisë nuk ka bashkëpunuar”, KLSH: S’ka inspektime apo kontrolle për peshkimin, rrezikohet mbyllja e eksportit

Kontrolli i Larte i Shtetit ka publikuar auditimin për Performancën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sa i përket politikave për peshkimin dhe akuakulturën.

Në auditim KLSH konstaton disa mangësi në menaxhimin e peshkimit dhe akuakulturës ku theksohet se Ministria e Bujqësisë nuk ka bashkëpunuar me strukturat vartëse sa i përket zbatimit të politikave, përfshi Ligjin e Akuakulturës së 2016.

NJOFTIMI I KLSH

Njoftim mbi Auditimin e Performancës me temë:

‘‘Performanca e MBZHR-së në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës”

Kontrolli i Lartë i Shtetit në dhjetor të vitit 2019 përfundoi auditimin e performancës me temë “Performanca e MBZHR-së në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës” të ushtruar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në institucionin e varësisë Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës. Ky auditim është miratuar nga Kryetari me Vendimin nr. 166, datë 28.12.2019.

Sektori i peshkimit dhe akuakulturës është një aktivitet i gjerë që përfshin dhe ka ndikim në një sërë çështjesh siç janë: – mbrojtja e mjedisit; – zhvillimi social – ekonomik i zonave ku ushtrohet aktiviteti apo ofrimi i produkteve të sigurta për konsumatorët. Në këtë auditim u analizua performanca e strukturave përgjegjëse lidhur me zbatimin e politikave dhe legjislacionit për peshkimin dhe akuakulturën, niveli i përmbushjes së Objektivave Specifike të Zhvillimit të vendosura në Strategjinë Kombëtare të Peshkimit 2016-2021, si dhe procesi i monitorimit-kontrollit-vëzhgimit-inspektimit të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës. Në përfundim të auditimit disa nga problematikat kryesore që rezultuan paraqiten të përmbledhura në vijim.

MBZHR nuk ka hartuar dhe miratuar një sërë aktesh nënligjore duke dështuar në plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës. Ligji i Akuakulturës i miratuar në vitin 2016 ende nuk ka gjetur zbatim si rezultat i mos miratimit të Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë duke penguar kështu zhvillimin e këtij sektori.

Bashkëpunimi jo i mirë midis MBZHR-së dhe institucionit në varësi të saj DSHPA-së si dhe komunikimi i dobët midis strukturave të MBZHR-së, janë tregues direkt të mos menaxhimit efektiv të veprimtarisë së peshkimit dhe akuakulturës.

Anijet e peshkimit kryejnë aktivitet pa qenë të pajisura me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik kjo në kundërshtim me Ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”, i ndryshuar. Si rezultat është e pamundur të kryhet vëzhgimi i aktivitetit të anijeve të peshkimit, identifikimi dhe lokalizimi i tyre automatik pasi ato nuk mund të transmetojnë automatikisht të dhënat mbi identifikimin, datën dhe orën e pozicionit, shpejtësinë dhe kursin e anijes, të dhënat mbi të gjitha sasitë për secilin lloj të zënë dhe të mbajtur në bord, etj. Mungesa e sistemit të sinjalizimit satelitor rrezikon të mbyllë eksportet e peshkut për Shqipërinë, duke e klasifikuar aktivitetin e peshkimit si të paligjshëm, pa regjistruar dhe parregulluar.

Aktiviteti i peshkimit dhe akuakulturës nuk monitorohet me inspektim dhe kontroll 24/7, si rezultat Inspektorët e Peshkimit nuk mund të kontrollojë peshkimin e paligjshëm, të paregjistruar dhe të pa raportuar. Inspektorati i Peshkimit nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe mjete logjistike të përshtatshme e bashkëkohore për të inspektuar të gjithë vijën bregdetare që ka vendi ynë, sipërfaqen e ujërave të brendshme dhe zinxhirin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës (inspektim në det, në port, në pikat e grumbullimit dhe tregtimit të produkteve peshkore). Mos prania e inspektorëve në momentin e kthimit të anijeve të peshkimit është një tjetër problem që nxit shkelje të tjera të legjislacionit të peshkimit.

Portet e peshkimit të vendit tonë menaxhohen në mënyrë jo efektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë. Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit. Këto hapësira zvogëlohen edhe më shumë duke marrë parasysh anijet e zhytyra (portet e peshkimit Vlorë dhe Shëngjin), zënien e hapësirave të ankorimit nga mjetet private turistike (porti i peshkimit VLorë) apo mungesën e bankinave ankoruese. Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kantier për riparimin e anijeve të peshkimit (as në portin e ri të peshkimit Durrës i bërë funksional në janar të vitit 2019). Peshkatarët duhet të gjejnë në mënyrë individuale mundësitë e riparimit dhe kjo përbën një problem madhor për zotëruesit e mjeteve të peshkimit duke pasur parasysh moshën e vjetër që ka flota jonë e peshkimit (mosha e flotës 40 vjeçare krahasuar me mesataren e BE-së prej 21 vjeçare) dhe kostot që ka për peshkatarët riparimi i tyre. Të gjitha portet e peshkimit kanë probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Në portin e peshkimit Vlorë një pjesë e konsiderueshme e hapësirave është e zënë me mjetet e sekuestruara nga Policia Rrugore.

Ekonomitë e rritjes së rasatit të Koranit në Lin dhe Krapit në Zvezdë nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë dhe cilësia e tij nuk është në parametrat e duhura. Ekonomia e Linit nuk ka një mol i cili do të ndihmonte për të rritur efektivitetin e procesit të hedhjes së rasatit në liqen. Ekonomia e Zvezdës nuk punon me kapacitet të plotë pasi nuk arrin të furnizohet mjaftueshë me ujë.

Qendra e Grumbullimit dhe Depurimit të Midhjes Sarandë nuk siguron që e gjithë sasia e prodhuar e midhjeve të kalojë në qendër për çertifikim, etiketim apo depurim sipas klasifikimit, pra sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe çertifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore. Konsumatorët konsumojnë midhje pa asnjë kontroll.

Si përfundim, masat e marra nga MBZHR në vitet 2016-2018 për menaxhimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës nuk kanë qenë të mjaftueshme. Mos zbatimi i “Objektivave Specifikë Zhvillimorë” të Strategjisë Kombëtare të Peshkimit ka bërë që politikat e ndërmarra nga qeveria për këtë sektor të mos jenë efektive në drejtim të garantimit me cilësi të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.

Në Vendimin e Kryetarit të KLSH-së për auditimin e performancës “Performanca e MBZHR-së në kuadër të zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës” janë dhënë 43 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës. Këto rekomandime synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në këtë auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës. Rekomandimet kryesore kanë konsistuar në plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës, riorganizimin e duhur strukturor të MBZHR-së në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Peshkimit, mbulimin me inspektim të të gjithë zinxhirit të aktivitetit të peshkimit dhe sigurimin e mjeteve logjistike në dispozicion të inspektorëve të peshkimit si dhe përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të porteve të peshkimit dhe ekonomive të akuakulturës.

SHKARKO APP