Ministria e Drejtësisë letër Prokurorisë: Shmangni masën “arrest në burg”. Jepni dënime alternative, mos të mbipopullohen burgjet
Ministria e Drejtësisë me anë të një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme të nxjerr udhëzime në mënyrë që të kërkohen masa dënimi alternative dhe aplikimin e masave të sigurisë ndryshe nga “Arresti në burg” kur kjo është e mundur.
E gjithë kjo vjen si një masë kundër përhapjes së Koronavirusit në vendet e vuajtjes së dënimit. Sipas letrës së dërguar, Ministria e Drejtësisë kërkon që të veprohet shpejt, për të shmangur rritjen e numrit të të burgosurve.
“Në kushtet e përshkallëzimit të situatës dhe nevojës për ti siguruar në mënyrë sa më efektive mbrojtjen e shëndetit të personave të cilët vuajnë dënimin dhe të paraburgosurve, si dhe vështirësitë në administrimin e situatës dhe nevojave të cilat vijnë në rritje, pavarësisht masave të marra, kërkohet bashkëpunimi i të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edhe ato të sistemit gjyqësor, në marrjen e masave për të aplikuar politika e strategji të cilat do të ndihmojnë në këtë situatë për administrimin sa më të mirë të institucioneve penitenciare, por njëkohësisht pa cenuar masat e sigurisë në to.
Në kuadër të këtyre masave, kërkojmë nga ana juaj udhëzimin dhe orientimin e gjykatave dhe prokurorive për të patur në vëmendje dhe për të inkurajuar zbatimin e alternativave të dënimit dhe aplikimin e masave shtrënguese të ndryshme nga masa e arrestit me burg për personat nën hetim apo të pandehur, sipas parashikimeve ligjore, përdorimin më të shpeshtë e më të gjerë të tyre, duke patur parasysh dhe faktin që, në praktikë, alternativat e dënimit me burgim janë përdorur shumë rrallë dhe prirja ka qenë kryesisht drejt dënimit me burgim për llojet e dënimeve dhe arrestit në burg për llojet e masave shtrënguese të personit.
Kërkojmë angazhimin tuaj maksimal, për të vepruar në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, kjo dhe në kuadër të nevojës si përballimit të pandemisë globale me të cilën po përballemi dhe rrezikut që ekziston për infektimin e personave që ndodhen aktualisht në këto institucione nga personat që futen rishtazi”, shkruhet në shkresën e Ministrisë, që i është dërguar për dijeni dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor.
Të burgosurit
Duke iu referuar të dhënave në letrën e Ministrisë, aktualisht në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, janë të akomoduar rreth 5200 persona të burgosur, nga të cilët 2600 janë të dënuar dhe 2600 janë të paraburgosur. Në këto institucione janë të punësuar 4050 punonjës, të cilët për shkak të natyrës së punës së tyre, do të vijojnë të jenë në shërbim, me tri turne dhe të pajisur me mjetet mbrojtëse.
Panorama.com.al