Ministria e Financave dhe Tatimet apel bizneseve: Hapni llogari bankare deri me 26 tetor
Ministria e Financave dhe Tatimet u kërkojnë tatimpaguesve që të respektojnë afatin ligjor për hapjen e një llogarie bankare. Në një video informuese, evidentohet se pas hapjes së llogarisë, duke nisur nga data 15 tetor, të dhënat do të mund të dorëzohen duke i plotësuar në llogarinë e deklarimit elektronik e-filing. Nga ky detyrim, përjashtohen vetëm personat fizikë tregtarë të cilat nuk janë të regjistruar për TVSH.
Personat fizikë tregtarë, të cilët njëkohësisht janë të regjistruar edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në prej 2 000 000 lekë në vit, ose nëse ushtrojnë një profesion të lirë janë subjekte të këtij detyrimi ligjor për të hapur llogari bankare.
Personat juridikë dhe organizatat jofitimprurëse, pavarësisht nga qarkullimi i realizuar, janë po ashtu të detyruar të kenë llogari bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore
Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore. Ky afat është data 26 Tetor.
Tatimpaguesit e rinj janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në të njejtën mënyrë në Administratën Tatimore.
Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.