Ministria e Financave, masa për parandalimin e detyrimeve të prapambetura

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë disa hapa konkretë në drejtim të monitorimit, raportimit dhe parandalimit të detyrimeve të prapambetura. Objektiv mbetet zerimi i të gjitha detyrimeve të prapambetura deri në fund të këtij viti. Skeduli dhe modaliteti i raportimit dhe monitorimit të detyrimeve të prapambetura, u përfshi në udhëzimin për zbatimin e buxhetit 2019, duke përcaktuar si afatet strikte të raportimit nga ana e institucioneve buxhetore, ashtu edhe ato të analizimit dhe publikimit nga ana e MFE.

Prej muajit janar 2018, ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur edhe monitorimin periodik mbi ekzekutimin e pagesave e detyrimeve të prapambetura për çdo institucion buxhetor. Kjo, krahas përditësimit dhe monitorimit të skedulit të parashikuar të këtyre pagesave edhe për vitin që pason, pra deri në dhjetor 2019. Një nga çështjet problematike në sistemin tonë buxhetor ishte akumulimi i detyrimeve të prapambetura para vitit 2014.

Qeveria jo vetëm e adresoi me prioritet çështjen e shlyerjes së tyre, por arriti që brenda dy viteve (2014-2015) të shlyejë të gjitha detyrimet e prapambetura të raportuara, në vlerën 67 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, stoku i detyrimeve të prapambetura në nivel 6-mujor për vitin 2019 rezultoi rreth 4.88 miliard lekë. Krahasuar me stokun e detyrimeve në dhjetor 2018, niveli i detyrimeve të prapambetura është ulur me rreth 21%. Një pjesë e konsiderueshme prej rreth 35% e këtij stoku detyrimesh i referohen detyrimeve për vendime gjyqësore.

SHKARKO APP