Ministria e Kulturës u shkri, Margariti: Krenare për gjithë sa bëmë e që do të vijohet

Elva Margariti ka reaguar për herë të parë pas krijimit të ministrisë së re, asaj të Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës që solli dhe largimin e saj nga detyra. E ndërsa shkruan se sot mbyll misionin e saj 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës, në një postim në rrjetin social Facebook, ajo e quan një rrugëtim të jashtëzakonshëm.

“Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste.

I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri!

Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë! Suksese Ministrit Gonxhe në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, shkruan Margariti.

SHKARKO APP