Ministrja Anila Denaj: Ngremë 7 laboratorë për garancinë e cilësisë ushqimore
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj thotë se është lehtësuar mënyra e aplikimit të fermerëve për skemën e subvencioneve në bujqësi, duke u larguar disa burokraci që lidhen me dokumentet e vendndodhjes së fermës. Denaj thotë se për vitin 2025 është rritur fondi i skemës së mbështetjes në bujqësi duke shkuar rreth 4,4 miliardë lekësh. Për të skema ka për qëllim uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale.
“Skema e subvencioneve është një skemë e përvitshme dhe u vjen fermerëve për të ulur kostot e prodhimit. Këtë vit kemi një fond më të lart se vitin e kaluar me një fond prej gati 4,4 miliardë leke është vënë në dispozicion të fermerëve për të aplikuar nga 14 prilli deri më 30 maj. Fermerët janë duke aplikuar për të tetë masat që kemi vendosur me dy risi. E para, lidhet me mbështetjen që i bëjnë fermerëve që zëvendësojnë përdorimin e pesticideve me insekticide që të rritet vlera e produkteve. E dyta, është mbarështimi i viçave që nxit prodhimin në vend. Skema kombëtare ka regjistruar deri më tani gati 20 mijë aplikues fermerë dhe blegtorë dhe një masë e rëndësishme është edhe Skema e Naftës”, tha Denaj.
Lidhur me sigurinë ushqimore, Denaj u shpreh se në bashkëpunim me Bankën Botërore, qeveria po investon një fond prej 20 milionë euro për ngritjen e shtatë laboratorëve rajonalë duke ndihmuar fermerët të ruajnë cilësinë dhe t’i përmbahen protokolleve të sigurisë ushqimore.
“E nevojshme është siguria ushqimore e produktit dhe kemi një sistem të ngritur informacioni. Nëse vite më parë malli nuk mbahej në frigoriferë si në pikat e grumbullimit dhe nuk ka pasur analiza laboratorike me të njëjtin intensitet që bëhen sot duke krijuar një problem si për prodhimin, dhe sigurinë ushqimore. Ne kemi një fond prej 20 milionë eurosh së bashku me Bankën Botërore po zbatojmë në shtatë pika rajonale të laboratorëve për të qenë më afër fermerëve, në mënyrë që ata të ruajnë cilësinë dhe protokollet”, tha ministrja.
Një tjetër pikë e theksuar është nevoja për bashkëpunim mes fermerëve që kanë parcela të vogla, duke krijuar grupe operatorësh për të përfituar më shumë nga subvencionet dhe për të rritur vlerën e produktit në treg. Këto grupe nuk do të kërkojnë bashkim prone apo tufash, por bashkërendim të punës dhe qëllimit.
KOHA JONË SONDAZH

