Ministrja Bora Muzhaqi: Të rinjtë shqiptarë janë Europë! Përpjekje të pareshtura të qeverisë drejt integrimit evropian
Në kuadër të javës Evropiane, ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi organizoi eventin “Europe is for Youth”. Muzhaqi e nisi fjalën duke uruar Ditën e Europës. “Gëzuar Ditën e Europës, në këtë ditë që e gjen Shqipërinë gjithmonë e më afër anëtarësimit në BE dhe me përpjekjet e pareshtura drejt integrimit evropian për fëmijët dhe të rinjtë tanë”.
“Për mua të rinjtë shqiptarë, janë tashmë në Evropë. Të rinjtë tanë i kanë të gjitha vlerat, të gjitha aftësitë, njëjtë si bashkëmoshatarët e tyre evropian”,-tha Muzhaqi duke u ndalur më tej në gamën e gjerë të programeve që ofrohen për rininë me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Ndër të cilat, përmendi: EU for Schools, EU for Culture, Youth Guarantee dhe EU for Youth.
Këto programe kanë në fokus investimet në infrastrukturën rinore dhe rritjen e mundësive dhe angazhimin për të rinjtë që të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipërinë Europiane. Në event ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, së bashku me të cilin u çel eventi “Europe is for Youth”, me praninë e qindra të rinjve për të festuar diversitetin, gjithëpërfshirjen, bashkëpunimin, kulturën dhe të drejtat e njeriut.
Përgjatë eventit, “Europa është për Rininë”, 5 prej të rinjve të pranishëm përcollën mesazhet e tyre për rininë 2030, duke i nxitur bashkëmoshatarët të jenë pjesë aktive e shoqërisë, me qëllimin e përbashkët për anëtarësimin në BE. Nën tingujt e muzikës, të rinjtë festuan ditën e Europës, nga Tirana gjithmonë e më Evropiane.