Ministrja Denaj: BB financim 65 milionë euro për rritjen e aksesit në tregje për fermerët dhe sigurinë ushqimore
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti sot në një takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas dhe përfaqësues të tjerë të Bankës Botërore në Shqipëri.
Gjatë këtij takimi, bëri të ditur ministrja Denaj, u prezantua marrëveshja e përbashkët për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Ky projekt i rëndësishëm, me një financim prej 65 milionë euro nga Banka Botërore, ka në fokus promovimin e bujqësisë inteligjente për të përballuar sfidat klimatike, si dhe rritjen e aksesit në tregje për fermerët.
“Marrëveshja me Bankën Botërore për zhvillimin e bujqësisë shqiptare prej 65 milionë eurosh ka në fokus promovimin e bujqësisë inteligjente për të përballuar sfidat klimatike, si dhe rritjen e aksesit në tregje për fermerët, fuqizimin e sigurisë ushqimore, si dhe forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të analizuar ndikimet e politikave bujqësore”, deklaroi ministrja Denaj.