Ministrja Denaj me agropërpunues: Ndikimi në ekonomi pritet të shkojë 20%, shkak turizmi

Ndikimi i agropërpunimit në ekonominë shqiptare është në rritje dhe parashikohet të arrijë deri në 20 %. Këtë e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, gjatë një tryeze diskutimi me sipërmarrës në fushën e bujqësisë dhe agropërpunimit. Denaj tha se institucionet lokale dhe qendrore janë të hapura për bashkëpunim dhe bashkëbisedim me sipërmarrësit e fushës së bujqësisë në kuadër të objektivit madhor të integrimit në BE. Ajo prezantoi përpara tyre edhe katër shtyllat kryesore të mbështetjes.

“Bashkëpunimi me sipërmarrës të fushës së bujqësisë, duhet të jetë përtej kësaj tryeze të parë, në përditshmëri, së bashku me problematikat dhe objektivat që kemi. Ne vijmë nga një proces screening shumë i rëndësishëm. Kemi kapituj brenda kapitujve të sigurisë ushqimore, që janë hapur dhe janë drejtuar me sukses. Ne kemi një listë ambicioze të këtyre ligjeve që duhen adresuar dhe njehsuar me ligjet e BE. Nëse ne nuk bashkërendojmë këtë veprimtari me të gjithë aktorët, ky proces do të ishte edhe më i vështirë”, tha ministrja e Bujqësisë.

“Së pari, objektiv i 2024 është vijimi i përafrimit të ligjeve që lidhen me sigurinë ushqimore me integrimin në BE, dhe bashkëpunimi me ju është i rëndësishëm. Së dyti, është bashkimi i operatorëve, ku secili nga ju është një qendër e bërthamës së zinxhirit të vlerës. Objektivi është për më shumë operacione të ndërlidhura, diplomacia ekonomike, pjesëmarrje në panaire, mbështetja me skema kombëtare të fermerëve, ndërlidhjes që ju keni, në zonat që prodhojnë në mënyrë të drejt për drejt për ju dhe së fundmi, me atë që është ndërlidhja me strukturat jo vetëm lokale, por dhe ndërkombëtare, përfshi diplomacinë ekonomike dhe diasporën”, tha më tej Denaj.

SHKARKO APP